Një ngjarje e rëndë është raportuar sonte rreth orës 20:00 në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku është gjetur trupi i pajetë i një gruaje në një objekt që është ende në ndërtim e sipër.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Ai tha se në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitet policore dhe ekipi mjekësor emergjent, të cilët kanë konstatuar se viktima, rreth 40 vjeç, është pa shenja jete.
“Sonte rreth orës 20:00, është pranuar informata për një trup të pajetë, në një objekt në ndërtim e sipër brenda oborrit të QKUK-së, në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjent, të cilët kanë konstatuar se trupi i viktimës, femër, rreth 40 vjeç, është pa shenja jete”, deklaroi Borovci.
Ai shtoi se, bazuar në informacionet e para nga vendi i ngjarjes, ndonëse ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje, autoritetet nuk po e përjashtojnë asnjë pistë.
“Policia, në koordinim me prokurorin e shtetit, ka nisur një hetim mbi vdekjen dhe me kujdes të shtuar po analizon të gjitha rrethanat e kësaj ngjarje”, tha zëdhënësi Borovci.