Një ditë ditë kohë i kanë mbetur Lëvizjes Vetëvendosje që të vendosë nëse do të provojë sërish për taformuar qeverinë me një kandidat tjetër për kryeministër apo do që vendi të shkojë në zgjedhje. Deri të hënën, vendim nuk ka pasur nga kjo parti.
Lëvizja Vetëvendosje nuk është përcaktuar ende se kush mund të jetë kandidati për kryeministër në përpjekjen e dytë për krijimin e Qeverisë, ndërsa kanë mbetur vetëm një ditë afat për propozimin e tij.
Të mërkurën, më 5 nëntor, përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që në përpjekjen e parë dështoi të marrë votat e nevojshme për t`u bërë kryeministër, presidentes Osmani i kërkoi disa ditë kohë para se t`i kthejë përgjigje, nëse do të tentojë sërish të formojë qeverinë apo do t`u bashkëngjitet partive të tjera që janë përcaktuar për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.
Për dallim nga Kurti, partitë e tjera politike të përfaqësuara në Kuvend, janë të vendosur për shkuarjen në zgjedhje. Sipas përfaqësuesve të tyre, që të premten u takuan me presidenten Vjosa Osmani, asnjëra prej partive që kanë zënë ulëse në Kuvend nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk ka shumicën e nevojshme për të zgjedhur qeverinë e re. Në rast të mandatimit nga presidentja, kandidati për kryeministër ka kohë 15 ditë që në Kuvend të prezantoj programin dhe kabinetin e tij.
Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor, tetë muaj pas zgjedhjeve. Kriza politike dhe institucionale lindi fillimisht për shkak të mosmarrëveshjeve midis partive më të mëdha shqiptare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e më pas për shkak të zgjedhjes së një nënkryetari nga komuniteti serb.



															








