Një diamant blu shitet në ankand për gati 20 milionë euro

Një diamant blu jashtëzakonisht i rrallë u shit në ankand në Gjenevë të martën vonë.

“Bluja Mesdhetare”, një diamant i rrallë me peshë 10.3 karat i vlerësuar 20 milionë dollarë, tërhoqi një betejë të fortë ofertash.

Ofertat filluan me nëntë milionë franga zvicerane (10.8 milionë dollarë), përpara se diamanti t’i shitej përfundimisht një koleksionisti privat amerikan, emri i të cilit nuk u bë i ditur, për 17.9 milionë franga (21.5 milionë dollarë), tha Sotheby’s.

Bluja Mesdhetare, një diamant blu krejt i ri i nxjerrë së fundmi nga minierat Cullinan të Afrikës së Jugut, shkaktoi një entuziazëm të madh brenda industrisë së diamanteve që kur u njoftua për herë të parë në mars, tha shtëpia e ankandeve.

Përpara shfaqjes së tij të fundit në Gjenevë të martën, guri i çmuar u zbulua si pjesë e një ekspozite debutuese të Sotheby’s në Abu Dhabi muajin e kaluar, ku u shfaq së bashku me shtatë diamante dhe gurë të çmuar të tjerë “të jashtëzakonshëm” me vlerë mbi 100 milionë dollarë.

“Në krye të piramidës së rrallësisë janë diamantet blu”, tha Quig Bruning, kreu i bizhuterive për Sotheby’s në Amerikën e Veriut, Evropë dhe Lindjen e Mesme, në shfaqjen e Abu Dhabi-t.

Tobias Kormind, kreu i argjendarit më të madh online të diamanteve në Evropë, 77 Diamonds, ishte më pak optimist, duke e përshkruar shitjen si “më pak mbresëlënëse sesa pritej”.