Ankesa e dorëzuar nga Nisma Socialdemokrate ditë më parë në Gjykatën Supreme është refuzuar si e pabazuar nga kolegji i kësaj gjykate.
Sipas vendimit të Supremes, 12 kandidatëve për deputetë nga kjo parti: Vesel Krasniqit, Filloreta Bytyçit, Fatmir Gërdellajt, Vehbi Abdullahajt, Besnik Berishës, Valentina Alijajt, Xhafer Berishës, Aziz Thaçit, Musa Fetahajt, Hasime Dakajt, Fatmir Gërdellajt, Ardian Nokajt dhe Endrit Shalës, nuk i lejohet garimi në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Nga Nisma Socialdemokrate kanë thënë se ende nuk kanë vendosur për hapin e radhës, por që edhe pse nuk iu pëlqen vendimi, ata i zbatojnë vendimet e organeve të shtetit.
“Nuk kemi marrë ende ndonjë vendim. Sigurisht që vendimet e organeve përkatëse i zbatojmë. Tash edhe pse nuk jemi pajtu dhe s’do të pajtohemi, por gjithsesi kjo është e drejtë e tyne, e kanë vlerësu ashtu dhe s’kemi çka të bëjmë”, ka thënë për Gazetën Sinjali Vesel Krasniqi, njëri prej kandidatëve për deputet të cilëve nuk iu lejua kandidimi.
Krasniqi ka shtuar se nuk është diskutuar si mundësi dërgimi i rastit në Kushtetuese.
Ndryshe Gjykata Supreme sot nuk i dha të drejtë për kandidim për deputet kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit por dritën jeshile nga kjo parti ia dha Liburn Aliut dhe Labinotë Demi-Murtezit.
Po ashtu kandidimi iu lejua edhe Shemsedin Dreshajt të AAK-së.