Nisin reagimet ndaj Maqedoncit, Peci: Franca është eksportuesi i dytë i armëve në botë, pas ShBA-së

Kanë nisur reagimet ndaj ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili tha se Kosova po ndërton fabrikë municioni, ndërsa Franca nuk e ka një të tillë.
Lulzim Peci nga KIPRED, ka përmendur faktin se Franca është eksportuesi i dytë i armëve në botë, pas Shteteve të Bashkuara.
“Perndryshe, Franca eshte eksportuesi i dyte i armeve ne bote, pas SHBA-ve, por armatimin e shet pa municion”
– ka shkruar ai në Facebook.

Maqedonci të premten deklaroi se se Kosova po ndërton fabrikë municioni, ndërsa Franca ende s’e ka një të tillë.

“Kjo administratë në ShBA po përsërit nevojën për më shumë investime në mbrojtje dhe siguri në Evropë. Ndoshta unë vij nga kjo prapavijë. Por unë shoh që Evropa nuk ka bërë shumë për t’i ndërtuar kapacitetet e saj, dhe duke u varur vazhdimisht nga ShBA-ja…Në këtë drejtim, justifikoj kërkesën e administratës Trump për më shumë investime në mbrojtje.

Për shembull, Kosova sot po ndërton fabrikën e saj për të prodhuar municion, dhe Franca ende s’e ka këtë” – ka thënë ai