Nisin përgatitjet për finalen e Big Brother VIP Albania më 19 prill: Një spektakël gjashtë orësh nën yje me surpriza dhe emocione të mëdha

Më 19 Prill, sytë e gjithë publikut shqiptar do të jenë të drejtuar kah finalja e Big Brother VIP Albania, reality show-t më të ndjekur në vend, i cili këtë vit premton të sjellë një spektakël të vërtetë televiziv dhe muzikor si asnjëherë më parë.

Ledion Liço, moderatori i këtij edicioni, zbuloi gjatë edicionit informativ në Top Channel disa nga prapaskenat dhe përgatitjet për këtë mbrëmje madhështore që do të zgjasë plot 6 orë. Ai e përshkroi finalen si një “koncert të vërtetë”, me këngë, performanca dhe surpriza për publikun që do të jetë i pranishëm në studio dhe për ata që do ta ndjekin nga ekrani.

“Jemi në fazën më intensive të përgatitjeve, me shumë pak orë gjumë dhe shumë përkushtim. Këtë vit kemi hapur dy studio, përfshirë një hapësirë të jashtme ku do të jemi nën çatinë e yjeve – yje poshtë, yje lart, yje gjithandej,” u shpreh Liço me emocion.

Një nga risitë e këtij edicioni është fakti se surprizat nuk do të lidhen vetëm me finalistët. Do të ketë performanca të artistëve të njohur dhe befasira nga figura publike e njerëz të thjeshtë, duke e kthyer natën e finales në një festë gjithëpërfshirëse.

Liço theksoi gjithashtu se finalja do të sjellë një atmosferë të veçantë përmes asaj që ai e quajti “viewing party”, ku të pranishmit do të kenë mundësinë të përjetojnë programin nga afër, jo më vetëm nga shtëpia. Hitet që kanë lindur brenda shtëpisë së BBV këtë sezon do të interpretohen live, duke i dhënë edhe më shumë ngjyrë dhe energji mbrëmjes.

Biletat për pjesëmarrje në këtë event tashmë janë të disponueshme online, si dhe fizikisht në dy pika – në zyrat e Top Channel në Kashar dhe në Arena Center. Edhe pse vendi është i madh, kapaciteti është i kufizuar dhe kërkesa e madhe, ndaj këshillohet që të sigurohen sa më parë.

“Ky edicion ka pasur artistë të jashtëzakonshëm dhe një tifozeri të papërshkrueshme. Finalja do të jetë kulmi i gjithë kësaj përvoje të përbashkët. Është një ngjarje për t’u jetuar,” përfundoi Ledioni.

Finalja e Big Brother VIP Albania pritet të jetë jo vetëm përmbyllja e një rrugëtimi të gjatë për banorët, por edhe një festë e madhe për gjithë publikun shqiptar, kudo që ndodhet.