Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka nisur hetimet dhe mbledhjen e informacioneve për keqpërdorime me vota edhe në Komunën e Obiliqit.
Përmes një njoftimi, Prokuroria ka bërë të ditur se ka autorizuar Policinë që të fillojë hetimet paraprake, me qëllim verifikimin e saktësisë së rezultateve dhe përcaktimin nëse ka pasur shkelje të mundshme nga personat përgjegjës.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se po ndjek me vëmendje të plotë procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Gjatë këtij procesi, ka dyshime se janë vërejtur mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Obiliqit. Në këtë drejtim, Prokurori i Shtetit ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të fillojë hetimet paraprake, me qëllim verifikimin e saktësisë së rezultateve dhe përcaktimin nëse ka pasur shkelje të mundshme nga personat përgjegjës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Gjatë procesit të rinumërimit në Obiliq, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me më së shumti parregullësi.
Deputeti i kësaj partie, Gazmend Krasniqi ka 362 vota më pak pas rinumërimit. Përpos Krasniqit, edhe deputetes Adelina Grainca i janë hequr 295 vota.










