,

Nis takimi Osmani – Lajçak

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajçak pas Osmanit pritet të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Lajçaku në Kosovë pritet të takohet me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë.

Kështu, Lajçaku po bën tentativat e fundit që të përmbushë misionin e tij, normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Lajçaku të hënën e ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Në diskutimin tonë, u fokusuam në perspektivën strategjike për vitin 2024, bëmë një bilanc mbi gjendjen në dialog dhe folëm për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, ka thënë Lajçaku.

Vuçiqi në takim me Lajçakun ka njoftuar se ka kërkuar anulimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme në Kosovë.

Vuçiqi ka thënë se e ka pasur një “takim konstruktiv dhe shumë të dobishëm” me Lajçakun.

“E theksova domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës urgjentisht, dhe kërkova mbështetje nga Bashkimi Evropian për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina”, ka shkruar Vuçiqi në profilin e tij në Instagram, pas takimit me Lajçakun.

Related Posts