Nis seanca fillestare ndaj Klinakut dhe Selmanit, Kurti erdhi në Gjykatë si i dëmtuar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është paraqitur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në cilësinë e të dëmtuarit.

Kurti ishte kanosur nga ish-sekretari i OVL UÇK-së, Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani.

Klinaku, së bashku me Nuredin Selmanin, akuzohen nga Prokuroria Speciale se përmes rrjeteve sociale kanë kanosur seriozisht kryeministrin e atëhershëm Kurti.

Sipas aktakuzës, më 29.08.2023, “i pandehuri F.K., me qëllim që ta frikësojë dhe ta detyrojë personin zyrtar tani të dëmtuarin A.K., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose të mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e ka kanosur atë përmes profilit të tij personal në rrjetin social “Facebook”, duke postuar shkrime me përmbajtje kërcënuese”.

“Pas reagimeve të opinionit publik lidhur me kërcënimin e përmendur, më 30.08.2023, i pandehuri F.K. ka përsëritur një postim me përmbajtje të njëjtë kërcënuese ndaj të dëmtuarit, ku thuhet: “… Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova””, tha prokuroria.

Ndërkohë, i pandehuri tjetër, N.S., e ka kanosur me vrasje të dëmtuarin A.K përmes postimeve publike në rrjetin social “Facebook”, për shkak të funksionit të tij, duke iu referuar postimit kërcënues të bërë nga i pandehuri F.K.

Përmes një postimi në Facebook, Klinaku nga OVL e UÇK-së kishte thënë se më përpara “e vras Albin Kurtin” sesa që ik nga Kosova.

“Nëse mediave ju duket postimi im si skandaloz, atëherë të më thonë se: A më shumë vlen Albini, apo atdheu ynë! Prapë po e përsëris pra, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: “Më parë e vras Albin Kurtin sesa ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”, kishte shkruar Klinaku.