Nëpër Qendrat Komunale të Numërimit tashmë ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për asamble dhe verifikimi i rezultateve.
Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, deklaroi në një konferencë për media se numërimi ka filluar në 38 qendrat. Fillimisht ka nisur në tri komuna në orën 12:00, e më pas në të tjerat nga ora 16:00.
“Përveç numërimit të votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale, në këto qendra, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet edhe verifikimi i rezultateve nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve. Ju njoftojmë se ky process, në orën 12:00 ka filluar në tri komuna dhe në orën 16:00 në 35 të tjera”, deklaroi Elezi.
Ai tha se në 38 Qendra Komunale të Numrimit do të punohet në dy orare, ndërkaq KQZ ka emëruar më shumë se 520 ekipe të numërimit me mbi 2 mijë anëtarë.
“Numërimi i votave të kandidatëve dhe verifikimi i rezultateve, do të bëhet duke ofruar transparencë të plotë dhe nën monitorimin e vëzhguesve. Përveç organizimit të votimit në 2,571 vendvotime të rregullta, KQZ ka mundësuar votimin me kusht në 54 vendvotime të tjera, votimin jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile për 3,467 votuesit me nevoja të veçanta dhe votimin jashtë Kosovës përmes postës për 43,933 shtetasit e Kosovës”, shtoi Elezi.
Se kur do të përfundojë ky proces, Elezi nuk dha detaje.
“Është e vështirë të bëjmë një parashikim se kur do të përmbyllet procesi i numërimit nëpër qendrat komunale, për të vazhduar më pas në QNR”, ka deklaruar Elezi.
Sipas të dhënave preliminare të publikuara nga KQZ, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar në zgjedhjet e djeshme është 791,123 votues, apo 39.07% nga gjithsej 2,025,105 votues me të drejtë vote.