Nis intervistimi i të dyshuarve për manipulim të votave në Drenas

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur sot intervistimin e anëtarëve të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve në Drenas si të dyshuar për manipulim të rezultatit zgjedhor.

Të dyshuarit pretendohet se kanë kryer keqpërdorime me vota, sipas një njoftimi të Prokurorisë të hënën.

Prokuroria tha se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të rastit.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës- Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, pas autorizimit nga Prokuroria dhe në kuadër të hetimeve intensive, nga dita e sotme ka filluar intervistimi të anëtarëve në qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) respektivisht për qendrën Komunale në Drenas”, tha Prokuroria të hënën.

“Këto veprime po ndërmerren lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidateve të subjekteve politike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria po ashtu tha se do ta mbajë të informuar opinionin publik lidhur me zhvillimet e mëtejshme në këtë proces.