Ka nisur intervistimi i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Në tri ditët e kaluara, ish-Drejtori Politik i UÇK-së është intervistuar për plot gjashtë orë.
Në dy ditët e fundit ai nuk u deklarua për media as para dhe as pas intervistimit, derisa një gjë të tillë e bëri vetëm në ditën e parë të tij në Hagë.
Pas intervistimit të parë gjashtëorësh, ai ka thënë për mediat se ka dëgjuar shkëmbime të teknaliteteve të ndryshme mes avokatit dhe prokurorëve.
”Ishte çështje sqaruese teknike, në të njëjtën kohë edhe ato fillestare të interesimit të Prokurorëve për UÇK-në, kështu që do të vazhdojë nesër”.
Në ndërkohë, po në ditën e parë, ish-Drejtori Politik i UÇK-së ka folur edhe para se të futet brenda Zyrës së Prokurorit të Specializuar ku ka ripërsëritur që askush nuk mund ta rishkruajë historinë.
Thaçi, në mesin e brohoritjeve të shqiptarëve që kishin dalë ta mbështesin, tha se ky është çmimi për Pavarësinë.
“Sot jam këtu për të respektuar atë për të cilën kam ëndërruar dhe luftuar – një Kosovë të pavarur bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multi-etnike dhe sundim të ligjit. Jam gati të përballem me sfidën e radhës dhe t’ia dalë me sukses për djalin tim, familjen, njerëzit dhe vendin tim”.
“Askush nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi për lirinë”.
Në afërsi të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë ka pasë vazhdimisht shqiptarë – që dolën ta mbështesin Hashim Thaçin – me flamurin e UÇK-së në duar, duke brohoritur dhe kënduar këngë patriotike, si dhe me parulla që e kundërshtojnë Gjykatën Speciale.