Ka nisur gjykimi ndaj të akuzuarit Muhamed Hajredinaj, për përdhosje të simboleve kombëtare duke hedhur flamurin kombëtar dhe plisin e një nxënëseje në mbeturina.
Sipas Prokurorisë Speciale, ai e ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”. Në seancë kanë qenë të ftuar dëshmitarët Fatos Berisha dhe Margareta Berisha, por të njëjtit nuk janë prezentë në sallën e gjykimit.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Leon Përlaska, dëshmitarja Margareta Berisha nuk e ka arsyetuar mungesën e saj, ndërsa dëshmitari Berisha ka njoftuar se është në udhëtim zyrtar, por nuk ka dorëzuar ndonjë dëshmi për këtë udhëtim zyrtar.
Avokati i të akuzuarit, Muhamed Muji, me datë 13.11.2025 ka kërkuar përjashtimin e publikut nga kjo çështje penale. Prokurori special Bekim Kodrwliu e kundërshtoi në tërësi këtë kërkesw.
“Vepra penale e cila është kryer nga i pandehuri është kryer publikisht dhe në prani të nxënësve të mitur. Është edhe një provë e siguruar nga mediat, në të cilat kanë pasë qasje edhe opinioni publik”.
Avokati i të pandehurit tha se i qëndrojnë prapa kërkesës për përjashtimin e publikut. Kryetari i trupit gjykues Përlaska mori vendim që seanca të mbahet e hapur për publikun.
Sipas aktakuzës, i pandehuri për shkak të bindjeve të tij fetare, të cilat i ka shprehur edhe më parë në prani të nxënësve, ka marrë flamurin kuqezi dhe plisin dhe, me gjithë kundërshtimet e nxënësve, i ka hedhur në shportën e mbeturinave, si dhe ka larguar nga ora mësimore një nxënëse, e cila mbante këto simbole kombëtare me qëllim të pjesëmarrjes në programin festiv të organizuar nga shkolla për Ditën e Flamurit. Me këto veprime të kryera, publikisht ka nxitur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve kombëtare, etnike dhe fetare.











