Nipi i ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili po kandidon për asamblist të Komunës së Prishtinës me numrin 26, ka thënë se është një i ri më tepër, i cili kërkon mundësi për të gjithë, zhvillim për qytetin dhe respekt për qytetarin.
Përmes një postimi në rrjete sociale, ai ka thënë se është rritur me dashurinë për vendin dhe me bindjen se shërbimi ndaj qytetarëve është nderi më i madh jetësor.
“Jam rritur duke e admiruar si burrështetas axhin tim, Hashim Thaçin, i cili u ka prirë proceseve më të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë.”, ka shkruar ai.
Djali i vëllait të Hashim Thaçit ka thënë se mbiemri që mban i sjell më shumë përgjegjësi, por përpara qytetarëve është vetvetja, me vullnet e përkushtim për një të ardhme më të mirë për Prishtinën.
“Familjarë e miq,
Qytetarë të dashur të Prishtinës,
Duke besuar fort në vlerat që më janë rrënjosur qysh në fëmijëri, unë kam vendosur ta bëj hapin tim të parë në politikë, duke kandiduar për Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Jam rritur me dashurinë për vendin dhe me bindjen se shërbimi ndaj qytetarëve është nderi më i madh jetësor. Jam rritur duke e admiruar si burrështetas axhin tim, Hashim Thaçin, i cili u ka prirë proceseve më të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë.
E di se mbiemri që mbaj më sjell më shumë përgjegjësi, por përpara jush jam vetvetja, me vullnet e përkushtim për një të ardhme më të mirë për Prishtinën.
Përpara jush jam një i ri më tepër, i cili kërkon mundësi për të gjithë, zhvillim për qytetin dhe respekt për qytetarin!
Unë jam njëri prej jush dhe jetoj përditë me problemet që i kemi në shëndetësi, infrastrukturë, administratë dhe kudo nëpër Prishtinë!
Koha për Prishtinën është tani dhe ajo fillon me votën tuaj!