Gjykata vendosi që Sarkozy të vihet nën mbikëqyrje gjyqësore, me ndalimin për të lënë territorin francez.
Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy do të lirohet nga burgu “La Santé” pas tre javësh qëndrimi pas hekurave.
Kështu ka vendosur Gjykata e Apelit të Parisit, e cila vlerësoi se paraburgimi i tij nuk është më i justifikuar, raporton Le Figaro.
Gjykata vendosi që Sarkozy të vihet nën mbikëqyrje gjyqësore, me ndalimin për të lënë territorin francez apo për të pasur kontakte me dëshmitarë dhe bashkëpandehur në çështjen e financimeve të dyshuara libiane të fushatës së tij të vitit 2007.
Vendimi i Gjykatës u mor në përputhje me kërkesën e prokurorit të përgjithshëm, Damien Brunet, i cili argumentoi se, edhe pse ekzistojnë rreziqe për përsëritje të veprës apo ndikim mbi dëshmitarët, garancitë personale të Sarkozy-it e bëjnë të panevojshëm vazhdimin e paraburgimit.
Gjatë seancës në Gjykatën e Apelit, Sarkozy foli për herë të parë pas arrestimit të tij më 21 shtator, duke mbajtur një deklaratë emocionale.
“Nuk kam pasur kurrë idenë apo çmendurinë për t’i kërkuar para zotit Gaddafi. Dhe nuk do të pranoj kurrë diçka që nuk e kam bërë. Nuk e imagjinoja se në moshën 70-vjeçare do të përfundoja në burg. Ishte një provë e imponuar, e vështirë, shumë e vështirë”, tha ai, duke shtuar se do të respektojë çdo detyrim të përcaktuar nga gjykata.
Ish-presidenti, që u shfaq në video-konferencë, falënderoi stafin e burgut për “humanitetin e jashtëzakonshëm” që e ndihmoi të përballonte “një makth të vërtetë”.
Në sallë ndodhej bashkëshortja e tij, Carla Bruni, dhe dy nga djemtë e tij.
Avokati i tij, Christophe Ingrain, e përshkroi paraburgimin si “kërcënim për jetën e klientit tim”, duke treguar se Sarkozy kishte marrë kërcënime me vdekje gjatë qëndrimit në izolim.
Ai theksoi se “në dhjetë vite hetimesh nuk ka pasur asnjë presion mbi dëshmitarë apo bashkëpandehur”, duke e quajtur vendimin e lirimit një “mësim përulësie”.
Gjatë seancës, gjykata iu referua edhe kapaciteteve financiare të Sarkozy-it, përfshirë të ardhurat nga zyra e tij ligjore dhe investimet, duke vlerësuar se ato garantojnë paraqitjen e tij të rregullt para drejtësisë.
Sarkozy është dënuar në shkallë të parë për “komplot kriminal” lidhur me dyshimet se ka pranuar financime të paligjshme nga regjimi i Muammar Gaddafi për fushatën e tij presidenciale të vitit 2007.
Ai e ka mohuar vazhdimisht akuzën, duke e cilësuar çështjen si “manipulim politik”.










