Nico Williams zbulon se a u pendua që e refuzoi ofertën e Barcelonës verën e kaluar

Ylli i Athletic Bilbaos, Nico Williams ka zbuluar se nuk ka asnjë pendesë sa i përket refuzimit të Barcelonës verën e kaluar.

Reprezentuesi spanjoll ishte objektivi kryesor i Barcelonës pas përfundimit të Euro 2024 në korrik aty ku Spanja u shpall fitues.

Kjo histori u bë e madhe gjatë afatit kalimtar veror dhe përkundër presionit të vazhdueshëm nga Barcelona, Athletic Bilbao nuk hoqi dorë nga qëndrimi i saj për të mos e shitur Williams.

Williams më parë kishte dhënë shenja se dëshiron të largohet, por ai gjithashtu kishte shtuar se dëshiron të luajë në Evropë me Bilbaon këtë sezon.

Interesimi i Barcelonës në vitin 2025 po vazhdon të ftohet me raportimet e fundit që bëjnë me dije se Arsenali është i gatshëm ta aktivizojë klauzolën e tij të lirimit prej 58 milionë eurosh.

Sulmuesi foli edhe një herë tjetër për këto thashetheme duke deklaruar se nuk është penduar për vendimin që mori.

“Në atë moment verën e kaluar, e mora vendimin që e konsideroja të ishte i duhuri dhe jam shumë i lumtur me të”.

“Ishte për familjen time. Raporti që kam me këtë klub është i jashtëzakonshëm dhe nuk besoj se do ta gjeja këtë atmosferë diku tjetër”, ka thënë Williams.