Ngritët aktakuzë ndaj një të dyshuari në Vushtrri për vrasje të rëndë në tentativë dhe vepra të tjera penale

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj të pandehurit me iniciale Sh.B., për veprat penale vrasja e rëndë në tentativë, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se më 27 nëntor 2025, në Vushtrri, në oborrin e shtëpisë së tij, me dashje ka tentuar t’i privojë nga jeta të dëmtuarat E.V. dhe M.V.

Sipas Prokurorisë, pasi viktimat kishin hyrë në oborrin e tij, Sh.B. ka shtënë me pushkë gjysmë automatike në drejtim të tyre, me ç’rast e mitura E.V. është plagosur në regjionin e shpatullës së majtë.

I pandehuri akuzohet gjithashtu se deri më 27 nëntor 2025 ka mbajtur në shtëpinë e tij një pushkë gjysmë automatike në kundërshtim me Ligjin për armët në Republikën e Kosovës, ndërsa arma dhe dhjetë fishekë janë konfiskuar nga Policia e Kosovës.

Po ashtu, si pasojë e gjuajtjes me armë, dyshohet se është dëmtuar një automjet në pronësi të I.B., si dhe një dritare me roletne në banesën e L.Sh.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga gjykata që i pandehuri të shpallet fajtor për veprat penale dhe të dënohet sipas ligjit.