Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve N.I., E.M., dhe H.H., të cilët gjenden nën masën e paraburgimit nga marsi i këtij viti, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në aktakuzë thuhet se të dyshuarit akuzohen për shitblerjen e 12 kilogramëve narktoikë, me vlerë mbi 25 mijë euro, transmeton Klankosova.tv.
Sipas aktakuzës, i pandehuri N.I., fillimisht me datë 28.02.2025, pa autorizim shet, transporton, dorëzon dhe dërgon në transit substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë – me qëllim të shitjes në atë mënyrë që pasi pajtohet paraprakisht përmes telefonit me blerësin, takohen në afërsi të fshatit Landovicë të Komunës së Prizrenit, të cilit ia shet substancën narkotike të llojit Marihuanë me peshë të përgjithshme (neto) prej 972.30 gram, në këmbim të vlerës prej 2,400.00 € (Dymijë e katërqind euro), duke kryer kështu veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” të KPRK-së.
Derisa me datë 07.03.2025 rreth orës 21:30, i pandehuri N.I., në bashkëveprim me të pandehurit E.M., dhe H.H., pa autorizim shesin, transportojnë, dorëzojnë dhe dërgojnë në transit substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë në atë mënyrë që pasi pandehuri N.I., pajtohet paraprakisht përmes telefonit me blerësit e tij, takohet me të njëjtit në afërsi të fshatit Landovicë dhe pasi vërteton se blerësit i kishin paratë për blerjen e substancës narkotike, të cilat para i numëron edhe personalisht dhe menjëherë e merr në telefon të pandehurin H.H., me ç’rast ky i fundit duke qenë i shoqëruar edhe nga i pandehuri E.M., pas pak minutash afrohen me veturën e tyre në vendin ku ishte i pandehuri N.I., duke negociuar me blerësit për shitblerjen e substancës narkotike, me ç’rast dalin nga vetura dhe së bashku nxjerrin një qese me ngjyrë të kaltër brenda së cilës ishin 11 (njëmbëdhjetë) foli alumini me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 10,510.36 gram (Dhjetë kilogram e pesëqind e dhjetë gram e tridhjetë e gjashtë miligram) në vlerë prej 25,000.00 Euro (Njëzet e pesëmijë euro) dhe duke qenë se të njëjtit ishin nën aplikimin e masave të veçanta hetimore, arrestohen në flagrancë nga forcat e Policisë së Kosovës, përveç të pandehurit H.H., i cili ka arritur të arratiset, mirëpo megjithatë arrestohet disa ditë më vonë, derisa pas bastisjes së shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të të pandehurit N.I., policia ka arritur të gjejë dhe sekuestrojë edhe një sasi të substancës narkotike të llojit marihuanë në peshë të përgjithshme prej 1,218.00 gram (një kilogram e dyqind e tetëmbëdhjetë gram). Gjithashtu të njëjtit i janë sekuestruar edhe dy peshore të cilat shërbejnë për matjen – peshimin e substancave narkotike, të cilat destinohen për shitje si dhe një shumë parash prej 3,965.00 Euro (Tremijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e pesë euro), të cilat para janë dobi pasurore e fituar nga kryerja e veprës penale, me ç’rast të njëjtit në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” të KPRK-së.
Përveç tjerash, pas arrestimit të të pandehurit N.I., në vendngjarje policia arrin të sekuestrojë nga i njëjti një pistoletë të kalibrit 7.62 mm M57 së bashku me një karikator me tetë (8) fishekë brenda tij, ku pas zbatimit të urdhër kontrollit në shtëpinë e tij, gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar edhe katër (4) fishekë të pistoletës dhe pajisje për pastrimin e armës, me ç’rast duke vepruar kështu, i njejti ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” të KPRK-së.
Prokurori i shtetit, me ngritjen e aktakuzës ka propozuar që të bëhet konfiskimi i mjeteve dhe sendeve të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me vepër penale, për të cilat është lëshuar Urdhër Ndalues Përfundimtar nga Gjykata, dhe atë:
Substancë narkotike të llojit marihuanë;
-Një pistolete kalibrit 7.62 mmM57 me një karikator me 8 fishekë;
-Katër fishekë të pistoletës;
-Pajisje për pastrimin e armës;
-Foli plastike;
-Një peshore;
-3.965 euro;
-Një veturë e markës “Audi”;
-Një veturë e markës VË “Bora”.
Sipas njoftimit, Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.