Ngrihet aktakuzë ndaj deputetit të Listës Serbe për su*lme ndaj gazetarëve në Leposaviq në vitin 2023

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiq, për sulm ndaj gazetarëve në Leposaviq në vitin 2023.

Ai akuzohet për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

Sipas aktakuzës, më 16 qershor 2023, gjatë protestave kundër vizitës së ministrit në detyrë Elbert Krasniqi, Simiq ka marrë pjesë në një turmë dhe kur ministri ka dalë nga objekti i komunës, persona të maskuar kanë sulmuar me shok-bomba. Pasi ka kaluar vetura zyrtare, Simiq akuzohet se i ka dhënë urdhër turmës që t’i sulmojnë mediat dhe mediat janë sulmuar me shok-bomba, gruste, shqelma e mjete të forta. Janë lënduar dy gazetarë.

Ndërkaq i pandehuri tjetër U.V. akuzohet se ka kryer veprën sulm dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale.

Simiq dhe kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, ditë më parë u konfirmuan si të ftuar për intervistim për tri vepra penale. Edhe deputeti Igor Simiq ka thënë se është ftuar nga Prokuroria Speciale për intervistim për ngjarjet e dhjetorit të 2022-s. Teksa Igor Simiq ka thënë se do të dëshmojë, deputeti Slavko Simiq pati refuzuar të flasë për gazetarët në fillim të qershorit.

Slavko Simiq u zgjodh sërish deputet në radhët e Listës Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit. Ai mori mbi 12 mijë vota.

The post Ngrihet aktakuzë ndaj deputetit të Listës Serbe për su*lme ndaj gazetarëve në Leposaviq në vitin 2023 appeared first on Kosovapost.net.