Ngrihet aktakuzë kundër ministrit Fikrim Damka

Prokuroria në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe F.D. pasi të njëjtit dyshohen për veprat penale “Sulm” dhe “Kanosje”.

Sipas akakuzës Damka më 9 shkurt ka përdorur forcë fizike ndaj A.M. dhe M.J. për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme të tij dhe të M.J. lidhur me publikimin e disa informatave dhe lajmeve në rrjetet sociale, për partinë “KDTP”.

Ndërsa, F.D. po atë ditë dyshohet se ka përdorur forcë fizike ndaj M.J.

Komunikata e plotë:                      

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve F.D.(1972), dhe F.D.(1992), për shkak të dyshimit të bazuar mirë se secili veç e veç kanë kryer veprat penale “Sulmi” nga neni 184 par.1, dhe “Kanosja” nga neni 181 par.2 lidhur me par.1, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës i pandehuri i parë F.D.(1972), me datë 09.02.2025, rreth orës 17:20 min, në Prizren, përdor forcën fizike ndaj të dëmtuarve A.M., dhe M.J., për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëhershme në mes tij dhe të dëmtuarit M.J., lidhur me publikimin e disa informatave dhe lajmeve në rrjetet sociale, për partinë “KDTP” dhe për kryetarin e partisë-të pandehurin F.D.(1972), derisa të dëmtuarit ishin duke qëndruar në parkun e lagjes me disa anëtarë tjerë të partisë së tyre “YTHP”, për një moment i pandehuri hyn në park dhe me vrull i afrohet të dëmtuarës, dhe i drejtohet me fjalë kanosëse, dhe më pas me dy duart e kap të dëmtuarën nga pjesa e supeve dhe e shtynë, ku më pas aty ndërhyjnë të pranishmit dhe e largojnë të njëjtën nga parku, më pas i pandehuri i drejtohet të dëmtuarit M.J., me fjalë kanosëse dhe menjëherë e sulmon, duke e goditur me trupin e tij, trupin e të dëmtuarit dhe me kokën e tij e shtyen kokën e të dëmtuarit, me ç`rast tek i dëmtuari shkakton dhimbje fizike. Me këto veprime, i njëjti kryen veprën penale “Sulmi” sipas KPRK-së.

Po ashtu, i pandehuri i parë F.D. (1972), seriozisht i kanosë me fjalë, të dëmtuarit A.M., dhe M.J., se do t`i privojë nga jeta, me ç`rast të dëmtuarve u shkakton frikë, ankth dhe pasiguri personale. Me këto veprime i njëjti, kryen veprën penale “Kanosja” sipas KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri i dytë F.D. (1992), me datë 09.02.2025, rreth orës 17:20 min, në Prizren, përdor forcën fizike ndaj të dëmtuarit M.J., në atë mënyrë që për shkak të rrethanave të cekura si më lart, të njëjtin e sulmon duke e shtyer me duar nga gjoksi i të dëmtuarit, me ç`rast tek i dëmtuari shkakton dhimbje fizike. Me këto veprime, i njëjti kryen veprën penale “Sulmi” sipas KPRK-së.

Gjithashtu, pandehuri i dytë F.D. (1992), seriozisht e kanosë me fjalë të dëmtuarin M.J.,  se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, në atë mënyrë që, pasi e sulmon të dëmtuarin, i drejtohet me fjalë kanosëse, me ç`rast tek i dëmtuari shkakton frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Kanosja” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.