Ngjarja tragjike në Prishtinë, çka dihet deri më tani?

Prishtina u trondit pasditen e së premtes nga një rast tragjik.

Një grua dyshohet se u ther me thikë në dorë nga burri i saj, i cili më pas u gjet i vdekur në banesën e tij.

Kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur në rrugën “B”, të kryeqytetit.

Personat e përfshirë në këtë rast janë 31 vjeçarja Rina Isufi dhe 34 vjeçari, Festim Isufi.

Gruaja e plagosur është takuar nga njësia policore dhe është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor.

Ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e burrit, kurse e plagosura është dërguar për në emergjencë në QKUK.

Nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës, deklaruan se e plagosura nuk ka asgjë serioze, dhe se e njëjta është lëshuar në përcjellje të Policisë.

Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Prishtinë, me anë të një njoftimi zyrtar ka bërë të ditur se kanë nisur hetimet, për të sqaruar krejt ngjarjen.

“Lidhur me këtë rast, Prokuroria ka iniciuar procedurë penale me kallëzim penal si ‘Hetim mbi vdekjen’”.

Akoma janë të paqarta rrethanat që sollën ngjarjen tragjike./ Klankosova.tv.