Ligji fjalpërfjalshëm ia ndalon, por ambasadorja e Kosovës në Norvegji, Nita Luci, i është skejuar obligimeve ligjore të shtetit të vet për të marrë pjesë në tubime partizane dhe zgjedhore të Vetëvendosjes. Ajo i ka bërë vetes vend m’u në rresht të parë përballë në fushatën zgjedhore të Albin Kurtit.
Në Osllo, në një takim të shumëbrohoritur dhe të transmetuar drejtpërdrejt nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në shtetin nordik, Luci shihet të jetë e etabluar mirë në interaksion me elektorat të Vetëvendosjes. Neni 32, Pika 1.5, e Ligjit për Shërbyesit e Jashtëm ia ndalon shprehimisht ambasadores Luci çfarëdo pjesëmarrje në aktivitete partiake “gjatë periudhës në shërbimin e jashtëm”, shërbim të cilin ajo ende s’e ka kryer për mandatin e plotë diplomatik që i përfundon vitin e ardhshëm. Logjika e ndalimit ligjor për diplomatët për të mos u partizanuar është e thjeshtë: që diplomati përfaqëson krejt shtetin e jo një parti; që të mos e shndërrojë shërbimin e jashtëm në vegël shërbyese partiake gjatë zgjedhjeve, dhe që shërbimi i jashtëm është (do të duhej të ishte) neutral dhe institucion i bazuar në meritë mes tjerash.
Ndërkaq, përkufizimi ligjor se në çka konsistin “fushata politike zgjedhore” jepet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme si “Aktiviteti i fushatës politike – do të thotë çfarëdo tubimi ose fjalimi politik, mbledhje, prezantim publik, ose ndonjë aktivitet i përgatitur për të propaganduar mesazh politik në lidhje me zgjedhjet”. Në një tubim të tillë habitoi Nita Luci.

Reagimet kanë vërshuar ndaj ambasadores Luci nga partitë politike ish-opozitare. Vlora Çitaku e Partisë Demokratike të Kosovës e quajti “cënim të institucioneve “ dhe “rrezik për demokracinë” transgresionin ligjor të Nita Lucit për Vetëvendosjen.
“Lëvizja Vetëvendosje vazhdon me avazin e vjetër, shpërdorimin e të gjitha resurseve shtetërore për beteje elektorale. Kjo sjellje tregon mungesë respekti për vet shtetin dhe institucionet e Republikës. Institucionet janë më të mëdha se partitë, më të mëdha se individët. Ne jemi vetëm shërbyes të përkohshëm në to”, shkroi Çitaku.
“Cënimi i institucioneve është i rrezikshëm për demokracinë, për ligjshmërinë dhe për vet Republikën. Ambasadat nuk janë të VV-së. As të PDK-së. Ambasadat janë të Republikës së Kosovës. Mendësisë abuzive të VV-së do t’i vijë fundi më 28 Dhjetor”, tha Vlora Çitaku në reagim.
Blerta Deliu e Partisë Demokratike të Kosovës poashtu ka reaguar duke pyetur se “kush garanton” që ambasadat e Kosovës jashtë vendit nuk përdoren politikisht në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare të 28 nëntorit, ku votimet do të zhvillohen edhe në ambasada dhe konsulata.
“Kur ambasadorja paraqitet në tubim të VV-së në Oslo, kush garanton se ambasada nuk po përdoret politikisht?”, shkroi Deliu.
Gazetari Lirim Mehmetaj madje e pa edhe si potencialisht “mundësi vjedhje votash” në ambasadë të Kosovës në Osllo, referuar partizanitetit të Nita Lucit.
“Ambasadorja e Kosoves ne Norvegji ne balle te tubimit te Vetevendosjes ne Osllo… Paramendojeni, ambasadorja Nita Luci, merr pjese ne tubim elektoral te VV-se, si me qene militante partie. Pastaj keta ankohen pse nuk po i lene me organizu votime neper lokale ne diaspore.
More ketu eshte rrezik edhe vota ne ambasada. Jam krejtesisht i bindur qe ka me u vjedhe vota prej VV-se edhe neper ambasada. Nuk e kuptoj qetesine e partive te tjera ne kete situate. O njerez kuptojeni more qe keta vjedhin vota, vjedhin pare, vjedhin rryme, vjedhin gjethcka. Keta edhe njani tjetrin e vjedhin”, tha Mehmetaj.











