Ngërçi politik, të gjithë sytë nga Gjykata Kushtetuese: PDK-ja dhe AAK-ja dërgojnë komente shtesë

Zvarritjes së krijimit të institucioneve të reja nuk po i shihet fundi. Meqenëse subjektet politike nuk po tregojnë gatishmëri për të bërë kompromise në lidhje me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ato shpresat i kanë mbështetur në Gjykatën Kushtetuese.

Tanimë të gjithë sytë i kanë drejtuar nga ky institucion i pavarur për nxjerrjen vendin nga kriza disa mujore.

Pasi AAK-ja ka dorëzuar në Kushtetuese lenden për ndryshimin e formës së votimit për kryetar të Kuvendit, disa parti kanë dërguar edhe komentet shtesë në Kushtetuese.

Derisa dje ka përfunduar afati i deputetëve për të dërguar komentet e tyre në gjykatë për këtë çështje, PDK-ja dhe AAK-ja janë të vetmet subjekte politike që kanë konfirmuar dërgimin e komenteve shtesë.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka treguar se kjo parti ka ofruar augmentet e veta.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, ajo ka thënë se PDK-ja dje i ka dorëzuar komentet e saj në lidhje me çështjen në fjalë.

Kurse, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, dje ka treguar se kjo parti i ka dorëzuar në Kushtetuese komentet e saj.

“Veç me propozu për Nobel Alblena Haxhiun për dështime të një pas njëshme. Kemi hartuar edhe disa komente për Gjykatën Kushtetuese, arsyetime se pse duhet të trajtohet me seriozitet…”, ka thënë ajo para mediave.

Ende nuk dihet nëse LDK-ja i ka dërguar komentet e saj në Kushtetuese.

Gazeta Nacionale ka tentuar të marrë një konfirmim për këtë çështje nga disa zyrtarë të LDK-së, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Dje ka qenë afati i fundit kur deputetët kanë mundur t`i dërgojnë komentet e tyre në Gjykatë Kushtetuese për çështjen që e ka dërguar AAK-ja.

Për tejkalimin e ngërçit politik javën e kaluar janë aktivizuar mekanizmat vendorë dhe ata ndërkombëtarë.

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it kanë takuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të cilit i kanë kërkuar formim sa më të shpejt të institucioneve të reja.

Pas takimit, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, ka treguar se çka është biseduar në takim.

“Këtë pasdite takova Kryeministrin në detyrë Kurti me ambasadorë të tjerë të Kuintit. Inkurajova formimin e një qeverie të re sa më shpejt të jetë e mundur për të vepruar në interes të 🇽🇰 dhe popullit të saj duke bërë përparim në çështje jetësore, të tilla si zhbllokimi i fondeve dhe ecja drejt integrimit euroatlantik”, ka shkruar ai.

Javën që e lamë pas për zgjidhjen e ngërçit është aktivizuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo ka takuar liderët e të gjitha partive politike parlamentare, ku ka diskutuar për tejkalimin e ngërçit.

Por, pas takimit palët kanë treguar se takimi nuk ka arritur ndonjë rezultat.

Përpjekja e radhës e deputetëve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës do të jetë nesër.