Partitë politike janë dorëzuar në raporti me ngërçin politik. Në mungesë të reflektimit të tyre për të gjetur një zgjidhje, ato tashmë i kanë drejtuar sytë nga Gjykata Kushtetuese.
Deputetët e VV-së, PDK-së dhe AAK-së sot kanë bërë me dije se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e votimit të fshehtë.
Ata kanë bërë me dije se e vetmja shpresë për daljen nga situata aktuale është Gjykata Kushtetues.
Deputeti i VV-së, Arban Abrashi, ka thënë se janë në pritje të vendimit të Kushtetueses.
Pas dështimit të seancës se sotme për konstituimin e Kuvendit, ai ka thënë se do të respektojnë atë vendim.
“Jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që të sqarohet çështja e votimit të fshehtë”, ka thënë Abrashi.
Të njëjtën bindje e ka edhe deputeti i PDK-së, Nait Hasani.
Ai ka thënë se nuk pret konstituimin e Kuvendit pa e dhënë gjykata verdiktin e saj.
“Nuk besoj që do të ndryshoj ndonjë gjë, nuk kemi njoftim as kryetarët e partive e as nga mjetet e rrugëve apo thashetheme të rrugëve. Besoj që është prapë e njëjta gjë, pa ardhë një vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk besoj që do të ketë ndonjë ndryshim ose do të ketë ndonjë ndryshim”, ka thënë Hasani.
As deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, nuk pret daljen nga ngërçi pa ndihem e Kushtetueses.
“E vetmja shpresë ka mbetur te Gjykata Kushtetuese ose një ftesë tjetër e partive politike që ish dashtë të ndodhë nga presidentja për të dalë nga kjo. Por u bë e 24-ta herë që po vimë këtu, nuk kemi mundur të vimë në një zgjidhje. Si duket neve veç na kanë qëndru gati këto ambasada se kurrë këta politikanë nuk kemi mundur t’u japim orientim momenteve politike asnjëherë, por vetëm na kanë qëndru gati. Është për të ardhur keq”, është shprehur Berisha.
Në fillim të muajit maj, VV-ja ka propozuar formimin e një komisioni, i cili do të monitoronte votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit.
Një propozim i tillë ka ardhur pasi kandidatja e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, kishte dështuar 6 herë rresht për t`i marrë votat e nevojshme.
Çështja e votimit të fshehtë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga AAK-ja, e cila është mbështetur edhe nga PDK-ja dhe LDK-ja.
Kurse, sot as përpjekja e 24-të i deputetëve për konstituimin e Kuvendit nuk ka rezultuar e suksesshme. Kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr nga propozimi që kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, të votohet në mënyrë të fshehtë.
Propozimi i VV-së për votimin për formimin e një komisioni për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votë të fshehtë nuk ka kaluar serish.
Kjo pasi PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk po marrin pjesë në këtë votim, duke vlerësuar se një gjë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Për formimin e këtij komisioni sot kanë votuar vetëm 53 deputetë, kudër ka qenë 1 deputet, kurse abstenim nuk ka pasur.
Pas dështimit të këtij votimi, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën, duke njoftuar se përpjekja e radhës do të bëhet të hënën në orën 10:30.