​Ngërçi politik në Kosovë – Këto janë dëmet në arenën ndërkombëtare

Vonesa në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit po e dëmton Kosovën në arenën ndërkombëtare, thonë njohësit politikë.

Sipas tyre, në mungesë të ekzekutivit legjitim, pozicioni ndërkombëtar i Kosovës është i dobët, pasi vendi po humbet në komunikimet bilaterale me shtete dhe në përfaqësim në organizata dhe samite multilaterale, raporton KosovaPress.

Sot dështoi për herë të 24-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës, edhe pas katër muajve nga mbajtja e zgjedhjeve.

Si pasojë e këtyre vonesave, sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, Kosova po pëson humbje të vazhdueshme në fuqizimin ndërkombëtar të saj.

Ai  përmend mungesën në komunikimet bilaterale me shtetet veç e veç, si dhe mungesën e prezencës së kryeministrit në detyrë Albin Kurti, dhe ministres në detyrë të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në samite multilaterale.

“Humbje të vazhdueshme Kosova po përjeton në komunikimet bilaterale. E para, me vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe, në veçanti, për raportet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo nuk lidhet vetëm me çështjen e zgjedhjeve. Unë pajtohem me faktin se edhe vende të tjera anëtare të BE-së kanë vonesat e tyre, por ato vende edhe mund të kenë vonesa të tilla. Mirëpo, ne nuk e kemi luksin që të shkaktojmë vonesa të panevojshme që mund të dëmtohemi. A ka kjo impakt negativ? S’do koment për një gjë të tillë. Ka impakt shumë negativ… Kjo e bën pozicionin ndërkombëtar të Kosovës tejet të dobët, ashtu siç e kemi parë në këta katër-pesë vjetët e fundit,” thekson Hoti.

Analistja politike, Magbule Shkodra, thotë se dështimet e njëpasnjëshme të konstituimit të Kuvendit krijojnë një imazh të keq për vendin.

Përkitazi me këtë, sipas saj, Kosova me vonesat për formimin e institucioneve të reja po humbet momentumin për t’u afruar me administratën e presidentit amerikan Donald Trump.

“Përveç imazhit të Kosovës, i cili veçse është i dëmtuar… Mos harroni se momentumi gjeopolitik do të duhej të shfrytëzohej. Në aspektin e politikës së jashtme mund të bënim shumë gjëra duke lobuar, angazhuar maksimalisht që të afrohemi me administratën Trump. Po ashtu, të afrohemi me shtetet e BE-së që t’i zgjidhim çështjet tona. Kjo e dëmton Kosovën. Në planin e brendshëm po e shohim se jeta e qytetarëve çdo ditë e më tepër po bëhet më e vështirë. Po ashtu, jemi në rrezik të humbim edhe fonde të tjera të ndara nga BE-ja. Për të pasur qasje në këto fonde, kemi nevojë që marrëveshjet të ratifikohen në Kuvend,” tha Shkodra.

Ngërçi politik vjen si rezultat i mungesës së votave të mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të nëntë të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për Albulena Haxhiun.

Kundër propozimit për këtë post po votojnë deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq tre deputetët e Nismës Socialdemokrate po abstenojnë.

Ndërkaq, në seancat e fundit, legjislativi është bllokuar sa i përket mungesës së kuorumit në formimin e komisionit verifikues për votimin e fshehtë të numrit një të Kuvendit të ri.