Ambasada gjermane ka shprehur edhe një herë shqetësimin e saj për vonesat në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e një qeverie stabile në vend.
Në një përgjigje për Telegrafin, Ambasada ka theksuar se kjo situatë është bërë një shqetësim në rritje.
“Vonimi në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e një qeverie stabile që është në gjendje të marrë vendime, është një shqetësim gjithnjë në rritje”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
Ata kanë bërë të ditur se ky shqetësim është përsëritur disa herë nga ambasadori gjerman, përfshirë edhe përmes zëvendës-shefit të misionit gjerman, Matthias Conrad në një takim të fundit që kishte me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, së bashku me përfaqësues të vendeve të Quint-it.
“Qytetarët meritojnë politikanë që vënë përpara interesin e vendit dhe mirëqenien e tij, përpara interesave partiake. Por ajo që shohim më së shumti është sjellje bllokuese dhe vonesa”, thuhet më tej në përgjigjen e Ambasadës.
Po ashtu, Ambasada Gjermane ka bërë të ditur se këto shqetësime janë ndarë edhe me presidenten Vjosa Osmani, në një takim që kishte ndodhur dy javë më parë.
“Shumë detyra të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare janë në pritje”, thuhet tutje në përgjigje.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish sot të konstituohet në tentimin e tij të 15-të.