Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka komentuar situatën politike në Kosovë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke e konsideruar bllokadën aktuale institucionale si pjesë normale të proceseve demokratike.
Gjatë një interviste për Info Magazine në Klan Kosova, ai u shpreh se vonesat në formimin e institucioneve nuk duhet të interpretohen negativisht. Sipas tij, këto janë tregues se vendi po ndjek rrugën e demokracive të konsoliduara.
“Jam absolutisht i sigurt që është më mirë ta keni këtë situatë që e keni tani në Kosovë se sa të kaloni nëpër zgjedhje nga të cilat të gjithë e dini se cili do të jetë rezultati. Mendoj se ngërçi krijuar në Kuvendin e Kosovës tregon se ju keni pasur zgjedhje demokratike dhe keni demokraci funksionale. Ne kemi parë diskutime të gjata dhe ngërçe në shumë vende evropiane, Belgjika nuk ka pasur Qeveri për 3 vjet, Italia është e njohur për negociatat e gjata, edhe Austria. Pra nuk është diçka e jashtëzakonshme, por vetëm një shenjë e mirë e demokracisë”. – tha ai.
Megjithatë, ai këshilloi deputetin Kurti dhe palët tjera që të jenë të gatshëm për kompromise.
“Por këshilla ime për kryeministrin Kurti dhe të gjitha palët është se procesi kryesor politik tani janë negociatat dhe kompromiset. Demokracia është art kompromisesh. Për të arritur qëllimet afatgjata tuajat politike, anëtarësimin në BE, duhet të bëni kompromise ndërmjet palëve politike, kjo është diçka nëpër të cilën Estonia ka kaluar për 30 vjet, andaj këshilla ime është qetësi, gjeni kompromise dhe vazhdoni përpara drejt Bashkimit Evropian, aty ku populli i Kosovës dëshiron të jetë. Po e përkrahi Kosovën sepse raportoj për Kosovën.” – shtoi Terras.