Për të nëntën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, duke thelluar më tej krizën institucionale që po zgjat prej disa javësh. Seanca konstituive e mbajtur më 1 maj përfundoi pa sukses, pasi përfaqësuesit politikë nuk arritën konsensus për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), propozoi që votimi për kryetar të Kuvendit të zhvillohet në mënyrë të fshehtë. Megjithatë, kjo kërkesë u refuzua nga partitë e tjera politike, duke e pamundësuar përparimin e procesit.
Ngërçi politik ka lindur për shkak të pamundësisë së LVV-së për të siguruar votat e nevojshme për kandidaten e saj, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit.
Kjo situatë duket se ka shkaktuar jo vetëm bllokim të funksionimit institucional, por ka ndikuar edhe tek partnerët ndërkombëtarë.
Moderatori dhe autori i emisionit Debat Plus” Ermal Panduri, ka bërë të ditur se, sipas burimeve, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka vendosur të bojkotojë seancat e Kuvendit për shkak të këtij ngërçi.
Panduri ka theksuar se përfaqësuesit amerikanë nuk do të marrin pjesë në punimet e Kuvendit derisa të ketë sinjale të qarta për zgjidhje të situatës.
“Sipas burimeve tona ambasada amerikane, ka vendosur që për shkak të ngërçit që është krijuar me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, ta bojkotojë zhvillimin e Kuvendit në situatën aktuale. Pra, meqë nuk asnjë rezultat, ata nuk po e dërgojnë një përfaqësues nga ambasada siç e bëjnë rëndom, për ta përcjell punën e Kuvendit. Ka të ngjarë veçse ka nisur në dy seanca, por sipas burimeve, kjo është vendosur që të vazhdoj edhe më tuje. Pra në një farë forme seanca të bojkotohet nga ambasada amerikane, deri kur të dihet sigurt se do të ketë lëvizje pozitive”, ka thënë Panduri.