Nga një banesë në ndërtim me borxhe modeste në vitin 2011, te një portofol pronash që shtrihet nga lagjet elitare të Prishtinës deri në Melbourne të Australisë. Ky është rrëfimi i rritjes financiare, strategjisë së investimeve dhe dokumenteve që mungojnë në faqen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për Familjen Presidenciale Osmani-Sadriu.
Në vitin 2011, Vjosa Osmani, atëherë një deputete e re, deklaronte një pasuri që sot duket pothuajse e pabesueshme për statusin e saj. Ajo zotëronte vetëm 1,016 euro kursime cash dhe një borxh prej 22,000 eurosh ndaj kompanisë “Global Construction” për një banesë që ishte ende në proces ndërtimi.
Në këtë kohë, Prindon Sadriu ishte “kolona” financiare e familjes, duke sjellë me vete pronat në Australi (shtëpi dhe tokë), por edhe një barrë të rëndë: një kredi prej 150,000 eurosh ndaj bankës CBA në Australi. Për gati një dekadë, ky borxh masiv do të shërbente si shpjegimi kryesor për mungesën e kursimeve të mëdha në Kosovë.
Duke gërmuar në deklaratat e tyre “pasqyrë”, vërehen disa mospërputhje teknike që përsëriten ndër vite, veçanërisht për asetet jashtë vendit:
Në vitin 2024, Presidentja deklaron vlerën e shtëpisë në Australi në 520,000 euro. Në të njëjtin vit, bashkëshorti i saj, Zotëria i parë, e liston të njëjtin aset me vlerë 510,000 euro. Kjo diferencë prej 10,000 eurosh nuk është domosdoshmërisht fshehje, por tregon një mungesë koordinimi në vlerësimin subjektiv ose në konvertimin e Dollarit Australian në Euro në ditë të ndryshme.
Një tjetër “nuancë” vërehet te qiraja. Ndërsa bashkëshorti në vitin 2024 deklaron të hyra vjetore prej 12,000 eurosh nga prona në Australi, në deklaratat e mëhershme të Presidentes kjo shumë figuronte shpesh më e ulët (rreth 3,300 deri në 4,000 euro), duke lënë të paqartë nëse bëhej fjalë për rritje të çmimit të qirasë apo për mënyrën se si raportoheshin këto të hyra familjare.
Pjesa më intriguese lidhet me shpejtësinë e shlyerjes së detyrimeve financiare, e vërtetuar përmes tri datave kritike të dorëzimit të pasurisë:
Agjencia Kundër Korrupsion nis hetimin e pasurisë së Vjosa Osmanit
27 Mars 2023: Në këtë datë, çifti deklaron një borxh total prej 70,000 eurosh (60,000 euro këste të papaguara ndaj “Marigona Hill” dhe 10,000 euro borxh shtesë). Në anën tjetër, huamarrja për banimin në Melbourne ishte 80,000 euro.
07 Maj 2024 (Pas 13 muajsh): Borxhi ndaj “Marigona Hill” zbret në 40,000 euro. Huamarrja në Australi zbret në 65,000 euro. Brenda pak më shumë se një viti, çifti ka shlyer 35,000 euro detyrime neto.
29 Mars 2025 (Finalizimi): Borxhi për punët e shtëpisë bie në vetëm 16,000 euro, ndërsa huamarrja australiane zbret në 40,500 euro.
Nga marsi i vitit 2023 deri në marsin e vitit 2025, saktësisht 24 muaj, çifti Osmani-Sadriu ka shlyer gjithsej 54,000 euro borxh ndaj shtëpisë në Prishtinë dhe 39,500 euro borxh ndaj shtëpisë në Melbourne. Në total, bëhet fjalë për 93,500 euro të shlyera brenda dy viteve, një shifër që tejkalon të ardhurat totale neto vjetore të tyre si paga, rreth 50,000 euro të përbashkëta në vit, duke lënë të kuptohet se shlyerja është mbështetur ndoshta në meditje, apo burime të tjera financiare.
Analiza e të hyrave vjetore për vitin 2025 zbulon disa detaje interesante. Në paga dhe meditjet e Presidentes del që ajo arkëtoi rreth 33,104 euro pagë neto, por surpriza qëndron te meditjet për udhëtime zyrtare, të cilat kapën shifrën prej 11,639 euro – një rekord krahasuar me vitet paraprake.
Prindon Sadriu del që përveç pagës diplomatike, në vitin 2025 deklaroi një shumë prej 19,233 euro të arkëtuara nga vendimet gjyqësore kundër MPJD-së. Këto “injeksione” financiare duket se kanë qenë vendimtare për të mbuluar shpenzimet e mëdha të shtëpisë së re.
Një detaj narrativ që vlen të theksohet është parcela prej 5.10 ari. Në vitet 2017-2018, kjo tokë deklarohej si pasuri e përbashkët. Mirëpo, në deklarimet e fundit (2024-2025), ajo figuron vetëm në emër të Presidentes Osamni, ndërsa shtëpia në varg mbetet e regjistruar si përbashkët.
Sot, çifti Osmani-Sadriu nuk është më çifti i vitit 2011 që luftonte me këstet e një banese në ndërtim. Ata tashmë zotërojnë një portofol pronash që, sipas vlerës së deklaruar zyrtare, kap shifrën prej 836,000 eurosh—duke iu afruar me hapa të shpejtë pragut të milionit.
SHËNIM I REDAKSISË | Gjatë përpilimit të kësaj analize këtij hulumtimi, redaksia e Insajderit ka hasur në vështirësi teknike në faqen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, ku për momentin në disa raste shfaqet shënimi “404”, dhe rrjedhimisht mungojnë deklarimet për vitet 2021 dhe 2022 për Presidenten Vjosa Osmani, si dhe vitet 2021, 2022 dhe 2023 për Prindon Sadriun.










