Përveç kritikave për mospunë të mjaftueshme, katër qeveritë pas shpalljes së pavarësisë e kanë një të përbashkët tjetër.
Asnjëra prej tyre nga ka arritur që ta çojë deri në fund mandatin katër-vjeçar.
Qeveria Haradinaj këtë të premte e la mandatin në gjysmë, shkaku i dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, pas njoftimit se ai është ftuar nga Gjykata Speciale për intervistim në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte, raporton KTV.
Haradinaj dha dorëheqje edhe në mars të vitit 2005, kur Gjykata e Hagës ngriti aktakuzë kundër tij për krime lufte, tre muaj pasi ishte zgjedhur kryeministër.
Mandatin e tyre në krye të Ekzekutivit nuk ka arritur ta përfundojnë as presidenti aktual Hashim Thaçi në dy mandate si kryeministër, e as kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Shoqëria Civile vlerëson se lënia në gjysmë e mandateve qeverisëse dëmton proceset sidomos ato reformuese në të cilat është e përfshirë Kosova.
Arbresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, përmend lidhjen e panatyrshme të koalicioneve dhe interesat ditore të drejtuesve të tyre, si ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në ndërrimin e shpeshtë të qeverive.
Përpos dëmeve politike, kjo formë e qeverisjes po vlerësohet e dëmshme edhe në aspektin ekonomik.
Në Odën Ekonomike Amerikane thonë se shpërndarja eventuale e Kuvendit rrezikon shumë ligje që prekin drejtpërdrejt bizneset.
Çdo vonesë në shqyrtimin e aplikacioneve të investitorëve potencialë, sipas drejtorit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zekës, çon në ndërprerjen e interesimit të tyre për të investuar në Kosovë.