Shkruan: Burim Gjaka
Rregullorja QRK nr. 19/2024, e cila rregullon procedurat e përzgjedhjes dhe emërimit të drejtorëve, zëvendësdrejtorëve dhe stafit profesional në institucionet publike edukativo-arsimore dhe aftësuese (IEAA) të arsimit parauniversitar, paraqitet në pamje të parë si një përpjekje për standardizim dhe profesionalizim. Megjithatë, një analizë e kujdesshme e dispozitave të saj – veçanërisht neneve 13 deri në 18 – zbulon një realitet shqetësues: një kornizë normative që dobëson meritokracinë, cenon autonominë e shkollës dhe e zhvendos menaxhimin arsimor nga logjika profesionale drejt kontrollit politik. Në vend që të forcojë stabilitetin institucional dhe cilësinë në arsim, kjo rregullore prodhon pasiguri, rrotacion artificial dhe varësi të vazhdueshme nga strukturat politike komunale, duke e shndërruar figurën e drejtorit nga lider profesional në funksionar të përkohshëm.
Neni 13: Trajnimi si filtër përjashtues-
Veçanërisht pika 1.12, vendos një kriter thellësisht problematik duke u dhënë ekskluzivitet trajnimeve të ofruara nga institucionet publike. Kjo dispozitë përjashton padrejtësisht qindra drejtorë aktualë dhe kandidatë potencialë që kanë investuar financiarisht dhe profesionalisht në trajnime të certifikuara nga organizata private apo organizata joqeveritare. Një qasje e tillë jo vetëm që cenon barazinë në konkurrim, por krijon dyshime serioze se trajnimi po përdoret si instrument filtrimi politik, e jo profesional.
Po ashtu, pika 4.8 e këtij neni, e cila kërkon një deklaratë në betim për mospërfshirje partiake, mbetet një zgjidhje formale dhe joefektive. Pa mekanizma realë të verifikimit institucional, depolitizimi reduktohet në vetëdeklarim, duke e lënë integritetin e procesit në dorë të ndërgjegjes individuale të kandidatëve.
Neni 14: Komisionet e përzgjedhjes dhe politizimi i procesit
Ky nen parasheh që anëtarët e komisioneve të përzgjedhjes të miratohen nga Kuvendi Komunal brenda një afati treditor, pas mbylljes së konkursit, një kërkesë praktikisht e parealizueshme. Ky mekanizëm prodhon vonesa artificiale, rrit koston administrative dhe krijon hapësirë për pazare politike, duke e zhvendosur fokusin nga cilësia e kandidatëve drejt interesave partiake. Reduktimi i rolit të prindërve dhe mësimdhënësve në vëzhgues pa të drejtë vote përbën një goditje serioze ndaj autonomisë së shkollës. Ata që janë drejtpërdrejt të prekur nga drejtimi i drejtorit nuk kanë asnjë ndikim real në përzgjedhjen e tij, duke krijuar ndjesinë e imponimit nga lart dhe duke e dobësuar legjitimitetin e udhëheqjes shkollore.Mungesa e një mekanizmi të pavarur për vlerësimin e profesionalizmit dhe integritetit të anëtarëve të komisionit e bën procesin subjektiv dhe të cenueshëm nga ndikimet politike.
Neni 16: “Gjilotina” ligjore e suksesit
Neni 16 është dispozita më problematike dhe më dëmtuese e Rregullores QRK 19/2024. Vendosja e kufizimit prej dy mandatesh (tetë vite) për drejtorin në të njëjtën shkollë përfaqëson një “gjilotinë” ligjore ndaj suksesit profesional. Ky nen i thotë drejtorit të dëshmuar se performanca, rezultatet dhe mbështetja e komunitetit nuk kanë më rëndësi pas një afati të caktuar. Ky kufizim nuk mbështetet në asnjë kriter performance apo vlerësim cilësor. Ai nuk ndëshkon dështimin, por penalizon suksesin. Në asnjë sektor tjetër të shërbimit publik nuk ekziston një logjikë kaq mekanike, ku përvoja dhe stabiliteti trajtohen si rrezik e jo si vlerë.
Ndërtimi i një shkolle funksionale kërkon vazhdimësi dhe memorie institucionale. Mandati i parë shërben për vendosjen e themeleve, ndërsa i dyti për konsolidimin e reformave dhe rezultateve. Pikërisht kur shkolla arrin stabilitet nën një udhëheqje të dëshmuar, Neni 16 e shkul drejtuesin e saj dhe e kthen institucionin në pikën zero.
Në thelb, ky nen nuk synon të mbrojë shkollën nga monarkitë menaxheriale, por të mbrojë politikën nga drejtorët e fortë dhe të pavarur. Një drejtor me mbështetje të gjerë komunitare bëhet autoritet real dhe i vështirë për t’u kontrolluar. Prandaj largimi i tij bëhet i detyrueshëm. Më shqetësuese është se Neni 16 injoron plotësisht vullnetin e komunitetit shkollor. Edhe kur prindërit dhe Këshilli i Shkollës kërkojnë vazhdimësi, rregullorja ua mohon këtë të drejtë, duke e shndërruar drejtorin në funksionar me afat skadence dhe pa vizion afatgjatë.
Neni 17: Pasiguria juridike dhe shkarkimet selektive
Ky nen përmban terma të paqartë si “dobësi në menaxhim” apo “vërejtje nga inspektorati”, të cilët krijojnë pasiguri juridike dhe hapësirë për shkarkime arbitrare. Këta terma elastikë mund të shfrytëzohen lehtësisht si instrument presioni politik ndaj drejtorëve të padëshiruar. Paradoksi qëndron në faktin se një drejtor i shkarkuar rikthehet automatikisht në pozitën e mësimdhënësit. Sistemi e konsideron atë të aftë për të edukuar nxënësit, por jo për të udhëhequr institucionin, duke prodhuar një degradim profesional që dekurajon individët kompetentë të angazhohen në menaxhim.
Neni 18: Ushtruesit e detyrës si instrument kontrolli
Neni 18 legalizon emërimin e ushtruesve të detyrës me propozim të drejtorive komunale të arsimit. Ky mekanizëm anashkalon konkurset e rregullta dhe krijon një kanal të drejtpërdrejtë për emërime politike. Një drejtor i përkohshëm është i pasigurt, i varur dhe i paaftë për të marrë vendime afatgjata, duke e mbajtur shkollën në gjendje të përhershme tranzicioni.
Përfundim
Rregullorja QRK 19/2024, pavarësisht gjuhës së saj formalisht reformuese, po minon meritokracinë dhe autonominë e shkollës. Arsimi nuk ka nevojë për rrotacion mekanik dhe kontroll politik, por për stabilitet, vazhdimësi dhe vlerësim të bazuar në performancë.
Heqja e kufizimit të mandateve, fuqizimi i rolit vendimmarrës të komunitetit shkollor dhe krijimi i mekanizmave të pavarur të vlerësimit janë hapa të domosdoshëm për të mbrojtur cilësinë në arsim. Në të kundërtën, shkollat rrezikojnë të mbeten eksperimente katërvjeçare, ndërsa pasojat do t’i bartin nxënësit dhe shoqëria në tërësi.













