Qytetarët e Kosovës po përballen me rritje të reja të tarifave të energjisë, por prapa këtyre ngritjeve nuk qëndrojnë vetëm shkaqe globale apo mungesa e prodhimit vendor. Pas ekranit të rrymës fshihen kompani të caktuara që kanë përfituar shuma marramendëse, shkruan Demokracia.com.
Kjo është historia e NOA Energy Trade, kompania që është futur në tregun e Kosovës në vitin 2021, në kohën kur Qeveria e Kosovës udhëhiqej nga Albin Kurti.
Prej 68.9 milionë euro sa ishte vlera e importeve nga KESCO në vitin 2024, mbi 62 milionë euro i takojnë importeve vetëm përmes kompanisë “Noa Energy Trade”. Për një vit, nga kjo kompani janë importuar energji elektrike gjithsej 345 mijë e 566 megavatë në orë.
Sipas dokumenteve publike të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), vetëm për transportin e energjisë që KESCO e ka blerë nga NOA Energy Trade në vitin 2024, qytetarët kanë paguar 907% më shumë sesa vetë çmimi i energjisë. Pra, jo për rrymën, por për “rrugën” e saj. Një absurditet që ka rënduar xhepat e qytetarëve, deri sa ka trashur llogaritë bankare të tregtarëve të energjisë.
Kush është NOA?
NOA Energy Trade SH.P.K, Dega në Kosovë, është themeluar më 29 qershor 2021 dhe është në pronësi të kompanisë mëmë nga Shqipëria, e cila kontrollohet nga NOA Holding, me pronar Gentian Sulën.
Në Shqipëri, Sula është një nga biznesmenët më të përfolur dhe ndodhet nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për korrupsion aktiv.
Për Sulën është caktuar masë sigurie nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), me urdhër për paraqitje të rregullt në prokurori. Por, ndërkohë që ai jep llogari në Shqipëri, kompania e tij në Kosovë po mbledh miliona euro.
Ajo është kompania e tetë më e madhja në Kosovë, me vetëm dy punëtorë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Data4X.com, NOA Energy është ndër top 10 kompanitë më të mëdha në Kosovë për vitin 2024, për vetëm tri vite pas hyrjes në treg. Por, ndërkohë që ajo deklaron qindra miliona euro qarkullim, ka të regjistruar vetëm dy punëtorë në Administratën Tatimore të Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar vetë ATK përmes një përgjigjeje zyrtare dërguar gazetarit Lirim Mehmetaj.
Më skandalozja është se sipas ATK-së, kompania ka adresë të falsifikuar, një detaj që vetëm do të duhej të mjaftonte për të nisur hetime serioze nga Policia e Krimeve Ekonomike, Doganat dhe ZRrE.
Sa i fuqishëm është Gentian Sula?
Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve në Shqipëri, të siguruara nga Demokracia.com, rezulton se Gentian Sula zotëron aksione në 8 kompani në Shqipëri dhe në 2 të tjera në Kosovë.
“Kodra e Diellit” është një nga lagjet më luksoze në Tiranë, nën pronësinë e Gentian Sulës.
Në këtë kompleks jetojnë disa nga njerëzit më të pasur në Shqipëri, përfshirë edhe shumë politikanë të nivelit të lartë, një tjetër dëshmi e lidhjeve të thella të Sulës me qarqet më të fuqishme në vend.
INTERSIG VIENNA INSURANCE GROUP (ish-INTERSIG)
Kjo kompani ka fituar mbi 60 kontrata publike në Shqipëri, kryesisht nga njësitë vendore. Pronarët e saj janë: kompania Vienna Insurance Group AG Wiener Versicherung Gruppe me 89.98% të aksioneve dhe Gentian Sula me 10.02%. Kompania është themeluar në vitin 2001 dhe objekti i saj është kryerja e veprimtarive të sigurimit dhe risigurimit të jo-jetës, në përputhje me legjislacionin shqiptar për sigurimet.
G & B ENERGJI
Pronarë të kompanisë janë Gentian Sula dhe Gani Hoxha, secili me 50% të aksioneve. Kompania është themeluar në vitin 2008 dhe ka për objekt veprimtarie: prodhimin e energjisë elektrike nga burime ujore (H/C, TEC), import-eksport të materialeve të ndërtimit dhe trajnimin e specialistëve.
V.I.P SECURITY
E themeluar në vitin 2008, kjo kompani është në pronësi të plotë të Gentian Sulës (100%). Aktiviteti i saj përfshin: sigurimin dhe ofrimin e shërbimeve të mbrojtjes për persona fizikë, banesa, biznese, institucione publike dhe private, aeroporte, porte dhe transportin e vlerave monetare. Ajo zhvillon teknologji të sigurisë, përfshirë sistemet e monitorimit audio dhe video kundër zjarrit, grabitjeve apo kërcënimeve të tjera.
C.I.V.
E themeluar në vitin 2008, kjo kompani ka si aksionarë Gentian Sulën me 82% dhe Ciro Donzella me 18%. Objekti i veprimtarisë është: ambalazhimi, tregtimi, import-eksporti i ujit dhe lëngjeve të ndryshme, si dhe i pijeve alkoolike dhe joalkoolike.
EMATHIA GG
Kompania është themeluar në vitin 2011. Pronarët janë Gentian dhe Fitnete Sula me nga 50% të aksioneve. Aktiviteti i saj përfshin ndërtim, punime të specializuara ndërtimore, administrimin dhe operimin e pasurive të paluajtshme, qendrave tregtare, garazheve për parkim, qiradhënien e pasurive të paluajtshme dhe investime në ndërtime të ndryshme.
PORTA SABER ALBANIA
E themeluar në vitin 2015, kompania ka si pronarë Gentian Sulën me 80% të aksioneve dhe kompaninë portugeze PORTA SABER – COMERCIO E SERVIÇOS DE CONSULTORIA UNIPESSOAL LDA me 20%. Aktiviteti përfshin: prodhimin dhe printimin e targave të automjeteve, regjistrimin dhe lëshimin e dokumentacionit të mjeteve me apo pa identifikim elektronik (RFID), menaxhimin e trafikut, pagesat për mirëmbajtjen e segmenteve rrugore, organizimin e autoshkollave dhe qendrave të testimit për dhënien e patentave, si dhe zhvillimin e koncesioneve në fushën e transportit.
SMART PARK
E themeluar në vitin 2020, kompania ka katër ortakë me nga 25% të aksioneve secili: Besiana Antoni, Miranda Leka, Gentian Sula dhe Arbër Xhabafi. Aktiviteti përfshin krijimin, shfrytëzimin dhe menaxhimin e hapësirave të parkimit, ofrimin e shërbimeve konsulente, financiare, investuese dhe teknike, si dhe pjesëmarrjen në projekte dhe ndërmarrje të tjera.
NOA HOLDING
Kompani e themeluar në vitin 2023, në pronësi të plotë (100%) të Gentian Sulës. Informacioni mbi objektin e veprimtarisë nuk është specifikuar.
Gentian Sula, përveçse është themelues i kompanisë Noa Energy Trade SH.P.K., në Kosovë është gjithashtu bashkëpronar i një tjetër biznesi të regjistruar me figura të njohura publike. Në vitin 2008, ai së bashku me publicistin e njohur të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, Veton Surroin, regjistroi në Komunën e Shtërpcës kompaninë ndërtimore STELLA CONSULTING SH.P.K.
Kjo kompani, që për një kohë kaloi pa shumë vëmendje, doli në sipërfaqe në vitin 2021 në kuadër të hetimeve për aferën e madhe të Brezovicës. Mediat raportuan se STELLA CONSULTING SH.P.K. përmendet në dosjen hetimore si kompania që i ka dhënë mbi 410 mijë euro ryshfet ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, në këmbim të sigurimit të një leje ndërtimi.
Kush është Gentijan Sulo, ortaku i Surroit që u përmend për ryshfet në ndërtimet në Brezovicë
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka konfirmuar se kanë nisur hetime ndaj KESCO-s rreth blerjes së energjisë elektrike përmes importit gjatë vitit 2024.
Hetimet po zhvillohen rreth procedurave që janë ndjekur nga KESCO për angazhimin e kompanive për tregtim me energji elektrike.
Prej 68.9 milionë euro sa ishte vlera e importeve nga KESCO në vitin 2024, mbi 62 milionë euro i takojnë importeve vetëm përmes kompanisë “Noa Energy Trade”. Për një vit, nga kjo kompani janë importuar energji elektrike gjithsej 345 mijë e 566 megavatë në orë.
Të dhënat tregojnë se kjo kompani me bazë në Tiranë, ishte e pakonkurrencë me ‘rivalët’ që kanë po ashtu licencë nga ZRrE për tregtim me energji elektrike.
Përveç “Noa Energy Trade”, në listën e importuesve janë edhe pesë kompani tjera, ku prin kompania “GEN” me vlerë të importeve 6.2 milionë euro, e pasuar nga “Danske Commodities” me 566 mijë e 407 euro vlerë importi. Ndërsa, kompanitë “Future” dhe “MCM”, së bashku importuan rrymë në vlerë mbi 50 mijë euro.
“Noa Energy Trade” është licencuar nga ZRrE më datë 02.12.2021, vetëm pak muaj pasi ishte regjistruar si biznes në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Cilat janë kompanitë e licencuara për tregtim të rrymës në Kosovë
Qysh në vitin e parë të punës, më 2022, sipas të dhënave që kjo kompani ka raportuar në Ministrinë e Financave, përkatësisht në Këshillin Kosovar për Raportim Financiar, realizoi qarkullim vjetor prej 54 milionë eurove. Në dy vitet pasuese, qarkullimi u trefishua, më 2023 shkoi në rreth 142 milionë euro, kurse më 2024 – në 161 milionë euro. Të dhënat për vitin 2024 janë siguruar nga platforma Data4x.
Në Shqipëri, “Noa Energy Trade” funksionon si kompani që merret me tregtim të energjisë elektrike që nga viti 2014. Është e njohur për kontrata me Korporatën Elektro-Energjetike Shqiptare (KESH). /Demokracia.com/
Lexo edhe:
Transporti i rrymës 907% më i shtrenjtë: Kompania nën hetim nga Shqipëria që mori miliona nga KESCO