Dy persona janë plagosur të enjten si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Prishtinë.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 16:00, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘Mon Balaj’ në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se dy persona kanë marrë lëndime dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka thënë Borovci për mediat në Prishtinë.
Ai ka theksuar se policia në mënyrë aktive po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të sqarimit të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen si dhe identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personave që dyshohet të jenë të përfshirë në rastin në fjalë.
Deri më tani nuk dihen detaje të tjera për këtë rast.