Nga sot zyrtarisht në krye të dialogut Kosovë-Serbi do të jetë diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen.
Paraardhësi i tij, Miroslav Lajçak, dje përmes një postimi tha se pas 4 vitesh e 10 muajsh si emisar po ia dorëzon detyrën Sorensenit, duke e quajtur këtë detyrë mision sfidues.
Por, për dallim nga Lajçak, Sorensen është i ngarkuar nga Bashkimi Europian vetëm për dialogun pa çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, si dhe fokusi i tij primar do të jetë zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit.
Lajçak dje në një intervistë për Gazetën Express i la një porosi pasardhësit të tij.
“I uroj durim dhe këmbëngulje. Çka është bërë në të kaluarën, është arritur sepse nuk u dorëzuam. I uroj shumë që të ketë sukses në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”.
Në njoftimin zyrtar të Këshillit të Bashkimit Europian për emërimin e Sorensenit u tha: “Detyra e tij do të jetë kontributi në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes dy fqinjëve, por veçanërisht fokusin duhet ta ketë në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe aneksin e saj – një detyrë kjo që nuk u arrit deri më tani meqë palët patën akuza të ndërsjella për moszbatim të detyrimeve”.
“Këshilli sot emëroi z. Peter Sørensen Përfaqësues Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë. Detyrat e Përfaqësuesit të ri Special të BE-së do të jenë të lehtësojë dialogun që do të kontribuojë në një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës dhe në veçanti në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj të miratuar në shkurt dhe Mars 2023”, tha në njoftim Këshilli i BE-së.
Danezi merr detyrat e tij nga sot me një mandat fillestar prej 13 muajsh.
Megjithatë, atij dhe shefes së tij, kryediplomates Kaja Kallas, do t’i duhet të presin pak për të nisur me punën meqë erdhën në krye të udhëheqjes kur në Kosovë ka zgjedhje të përgjithshme, ndërsa në Serbi protesta të vazhdueshme kundër pushtetit që u nxitën nga incidenti ku humbën jetën 15 persona nga shembja e një strehe betoni në një stacion hekurudhor në Novi Sad.
Këshilli e përshkroi Sorensen si një diplomat danez me përvojë të gjerë, duke përfshirë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Ai shërbeu nga viti 2011-2014 si Përfaqësues Special/Shef i Delegacionit të BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë dhe gjithashtu ka mbajtur pozita si ambasador dhe shef i delegacionit të BE-së në Shkup dhe shef i delegacionit në Gjenevë. Në këtë të fundit, z. Sørensen përfaqësoi BE-në në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, duke përfshirë edhe si përfaqësues të Unionit në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut”, ndau Këshilli një pjesë të biografisë së emisarit të ri.
Duket që Sorensen do të ketë një barrë më të rëndë për t’i nxitur palët në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit kur historikisht Kosova dhe Serbia, që kur dialogojnë nga viti 2011, sfidën më të madhe e kanë të përmbushin zotimet.
Në mars të këtij viti bëhen dy vjet që kur u Marrëveshja e Ohrit u shpall me entuziazëm se Kosova dhe Serbi bënë një hap të madh drejt normalizimit final të marrëdhënieve. Shpallja ishte bërë krahas paralajmërimit se blloku do të “monitorojmë me kujdes se kush e zbaton marrëveshjen e kush jo”, ndërsa zbatimi i saj u bë kusht për anëtarësim në BE për të dyja palët.
Megjithatë, entuziazmi fillestar u zëvendësua me zhgënjim meqë u shtuan ankesat nga Bashkimi Europian se palët kanë bërë përparim thuajse të pavërejtshëm për ta vënë në zbatim marrëveshjen nga e cila Kosova synoi njohje de facto nga Serbia, ndërsa Serbia Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Takimet në Bruksel që e pasuan marrëveshjen ishin të fokusuara në trajtimin e krizave të njëpasnjëshme që ndodhën në veri të vendit, ndërsa sulmi terrorist në Banjskë ndërpreu edhe takimet trepalëshe mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Ndërkaq, BE vazhdimisht bëri thirrje që të dilet nga ky rreth vicioz për t’u fokusuar te zbatimi.
Deri më tani, Kallas kishte pritur në takime të ndara në Bruksel kryeministrin Kurti dhe presidentin serb Vuçiq. Takimet ishin më shumë njoftuese dhe s’ishin në kuadër të dialogut.