Nga Sommer te Calhanoglu dhe Dumfries, një verë ndryshimesh të mëdha për zikaltërit

Në shtëpinë e Interit po reflektohet me kujdes mbi lëvizjet e ardhshme, që do të ndërmerren, mes polemikave të njëpasnjëshme që nuk i bëjnë aspak mirë ambientit zikaltër. Rreziku i një vere të nxehtë (jo nga moti) është mjaft i lartë.

Gati gjysma e skuadrës mund të largohet, në kuadër të një projekti rinovimi që synon uljen e moshës mesatare të ekipit. Blerjet e Luis Henrique, Sucic dhe Bonny shkojnë pikërisht në këtë drejtim.

Po cilët janë lojtarët që mund të bëjnë gati valixhet në javët e ardhshme? A duhet pasur kujdes nga një revolucion, që mund ta ndryshojë ndjeshëm fytyrën e nënkampionëve të Europës?

SOMMER
Portieri zviceran vjen nga një Botëror për Klube i dobët. Gabimet e bëra ndaj Monterrey dhe sidomos ndaj Fluminense (me daljen e munguar në golin e Cano) i hapën rrugën eliminimit. Së fundmi është përfolur për një interesim të Galatasaray, i cili, nëse konfirmohet, mund të çojë në një marrëveshje për shitjen e tij në Turqi dhe si pasojë promovimin si titullar të Josep Martinez.

ACERBI
Acerbi ka kontratë me Interin edhe një vit, por klubi zikaltër ka mundësinë ta zgjidhë kontratën duke paguar penalitetin përkatës. Duke parë moshën 37-vjeçare të mbrojtësit, ky skenar nuk përjashtohet.
Do të ishte një zgjedhje në përputhje me objektivin për ta ulur moshën mesatare të skuadrës dhe dhënë hapësirë profileve më të rinj (Leoni i Parmës është një prej alternativave të preferuara).

BISSECK
Mbrojtësi gjerman i humbi të katër ndeshjet e Botërorit për Klube për shkak të një dëmtimi. Rikthimi i tij pritet në sezonin e ri, nëse do të jetë ende pjesë e skuadrës së Chivu. Bisseck është lidhur shpesh me klube angleze, edhe pse në selinë e Interit ende nuk ka mbërritur asnjë ofertë zyrtare. Gabimet e tij gjatë sezonit janë ende në kujtesën e tifozëve, teksa largimi mund t’i sillte Interit “plusvalencë” të mirë në bilanc.

CALHANOGLU
Turku është lojtari më i përfolur i momentit. Pas shpërthimit të bujshëm të Lautaro Martinez dhe deklaratave pohuese të Marotta, dritat e reflektorëve janë drejtuar tek ish-lojtari i Milanit.
Në gjurmët e tij është Galatasaray, edhe pse nuk ka ndërmarrë hapa konkretë. E ardhmja e Calhanoglu duket e largët nga Milano, pas asaj që ndodhi me Lautaron dhe reagimin e Calhanoglu në rrjetet sociale.

FRATTESI
Edhe Frattesi e humbi Botërorin për Klube për shkak të një dëmtimi. Ai u rikthye në Itali për kontrolle shtesë para 1/8 finale. Pas “telenovelës” së dimrit me Romën, tani qarkullojnë zëra për interes nga Atletico Madridi. Më në prapaskenë qëndron opsioni i një qëndrimi në Itali (Napoli).

DUMFRIES
E ardhmja e holandezit është bërë e pasigurt për shkak të një klauzole të përfshirë në kontratën e fundit: 25 milionë euro, që mund të arrijë deri në 30 milionë, e vlefshme deri në mesin e korrikut.
Shumë e arsyeshme për një lojtar që ka treguar se mund të bëjë diferencën, sidomos me fuqinë e tij fizike. Barcelona është klubi më i përfolur, edhe për shkak të dy golave që Dumfries iu shënoi katalanasve në gjysmëfinalet e Champions League.

TAREMI
Ish-sulmuesi i Portos është ende i bllokuar në Iran, ndaj mbetet për t’u parë nëse, pasi të zgjidhet ky problem, do ta veshë sërish fanellën zikaltër. Konfirmimi i Pio Esposito dhe ardhja e Bonny e kanë shtyrë iranianin edhe më shumë në periferi të projektit zikaltër. Për të ka interes nga Nottingham Forest, Besiktas dhe Fulham.

LARGIME TË TJERA
Buchanan, që sapo ka mbyllur aventurën në “Gold Cup” me Kanadanë dhe është kthyer nga huazimi te Villarreal, me shumë gjasë nuk do të jetë pjesë e projektit të Chivu. Edhe Aleksandar Stankovic, që ka shkëlqyer në huazim te Lucerna, është shumë pranë kalimit te Club Brugge për rreth 10 milionë euro, me Interin që kërkon të ruajë të drejtën e riblerjes.

The post Nga Sommer te Calhanoglu dhe Dumfries, një verë ndryshimesh të mëdha për zikaltërit appeared first on Telesport.