Fizioterapisti i Diogo Jotës, Miguel Gonçalves, tregoi se si kaluan orët e fundit të futbollistit, në një intervistë për “Record”, përpara aksidentit tragjik ku humbi jetën bashkë me vëllanë e tij në provincën e Zamorës.
Fizioterapisti respirator e kishte trajtuar sulmuesin portugez vetëm pesë orë para aksidentit fatal. Jota vuante nga një problem i njohur si pneumotoraks ose kolaps i mushkërisë.
Ky ishte një problem që e kishte prej muajsh, por operacionin kishte vendosur ta shtynte. Jota dhe vëllai i tij kishin planifikuar të merrnin një traget për t’u kthyer në Angli, pasi ishte paralajmëruar se udhëtimi me avion do të përbënte rrezik për shëndetin e tij.
Gonçalves shpjegon se i pa të dy rreth orës 20:30 dhe se kishin vendosur të udhëtonin natën për të shmangur temperaturat e larta. Ai mohon thashethemet se kishin qenë në ndonjë festë dhe e përshkruan pacientin e tij si “një profesionist”.
“Më tha se udhëtimi do të zgjaste rreth 8 orë, por se do të ndalonin në një hotel në zonën e Burgos për të pushuar. Diogo ishte shumë i vetëdijshëm për profesionalizmin e tij. Duhej të mbërrinin në Santander, të merrnin tragetin dhe pastaj të shkonin në Angli, – thekson fizioterapisti.
– Familja do të udhëtonte më vonë me avion dhe të hënën kishte të planifikuar një kontroll mjekësor në Liverpool për të vlerësuar situatën. Nisa të punoja me të të shtunën e kaluar dhe isha me Diogo çdo ditë deri të mërkurën. U përshëndeta me ta në kohën e darkës”.
Një gjendje respiratore që Gonçalves e ka sqaruar: “Baza e mushkërisë së djathtë ishte pak e rrëzuar, por me fizioterapinë, pas operacionit, ishte pothuajse perfekte. Kur e lashë dje, nuk kishte më dhimbje dhe do të kthehej në Liverpool”.
Sipas fizioterapistit, futbollisti portugez nuk do të udhëtonte me Liverpool-in në turneun parasezonal në Japoni, për t’u përqendruar te rikuperimi i tij.
The post Nga se vuante, pse nuk udhëtoi me avion drejt Anglisë…; fizioterapisti personal rrëfen gjithçka për Diogo Jota appeared first on Telesport.