Nga salla e Hagës te reagimet në Kosovë: Dëshmia e Hill vlerësohet si vulë e pastërtisë së UÇK-së

Dëshmia e ambasadorit amerikan, Christopher Hill, në Gjykatën Speciale ka shënuar një kthesë të rëndësishme në proceset që po zhvillohen kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Fjalët e tij, të mbështetura në përvojën direkte gjatë luftës dhe në Konferencën e Rambujesë, janë cilësuar si të drejtpërdrejta, reale dhe me peshë të madhe historike.

Në ditët në vijim pritet të dëshmojë edhe gjenerali Wesley Clark, një tjetër figurë kyçe e kohës së luftës, i cili njihet për qëndrimet e tij të qarta në mbështetje të ndërhyrjes së NATO-s dhe drejtësisë për popullin e Kosovës.

Këto dëshmi, të cilat vijnë nga dy personalitete që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjeve vendimtare, po interpretohen si zhvillime pozitive që nderojnë luftën çlirimtare dhe dëshmorët e saj, duke rrëzuar propagandën dhe perceptimete padrejta që janë ndërtuar nga Gjykata Speciale.

Dëshmia e ambasadorit amerikan Christopher Hill në Gjykatën Speciale, dhe pritja e dëshmisë së ardhshme të gjeneralit Wesley Clark, kanë ngjallur reagime pozitive edhe te ish-bashkëluftëtarët, avokat të akredituar të Speciales dhe anëtarët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Ata i kanë cilësuar këto dëshmi si të sinqerta, reale dhe me peshë të madhe historike, pasi vijnë nga figura që kanë qenë vetë pjesë e zhvillimeve të kohës së luftës dhe të bisedimeve për paqe.

Sipas tyre, dëshmitë e Hill dhe Clark përfaqësojnë një moment të rëndësishëm për proceset në Hagë, sepse jo vetëm që nderojnë luftën çlirimtare dhe dëshmorët e saj, por edhe sfidojnë propagandën dhe narrativat e padrejta që janë ndërtuar ndaj UÇK-së.

Për mbrojtjen dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së, këto zëra ndërkombëtarë që flasin me fakte e përvojë personale po e kthejnë vëmendjen te e vërteta e luftës për liri dhe te roli i drejtë i luftëtarëve të saj.

Ish-gjenerali i UÇK-së: Deklaratat e Clark dhe Hill do t’i ‘’djegin’’ Serbisë dhe dikujt në Kosovë

Ish-gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lahi Brahimaj, për FrontOnline ka folur pas deklaratave në Hagë, të ish-komandantit të forcave të NATO-s, Wesley Clark, dhe ish-ambasadorit amerikan, Christopher Hill, lidhur me luftën e UÇK-së.

Ai ka thënë se këto deklarata janë të mirëseardhura dhe përfaqësojnë të vërtetën.

“Janë mëse të mirëseardhura. Në një gjykatë si kjo, nuk e di sa do të kenë peshë deklaratat e Clarck dhe Hillit, por kjo është e vërteta”, potencoi ai.

Brahimaj ka theksuar se reagimet ndaj këtyre deklaratave janë të pritshme..

“Fillimisht këto deklarata kanë me iu dhimbur në Serbi, zyrtarëve të Serbisë, puthadorëve të Serbisë dhe po i shoh edhe një pjesë të njerëzve këtu që po mundohen ta shtrembërojnë të vërtetën”, deklaroi ai për FrontOnline.

Ai ka folur edhe për qëndrimin e tij ndaj UÇK-së dhe bashkëpunimit me ndërkombëtarët.

“UÇK ka qenë e pastër dhe gjithë ushtarët e UÇK-së dhe krerët e saj kanë pasur bashkëpunim me ndërkombëtarët”, u shpreh Brahimaj.

Sa i përket Gjykatës Speciale, Brahimaj ka thënë se ajo nuk është e drejtë dhe është e njëanshme.

“Kjo gjykatë është jo kreidibile dhe jo e drejtë dhe është e një anshme, nuk bëhet një gjykatë për vetëm dy persona”, tha ai,

Ai ka kujtuar se kishte votuar kundër themelimit të kësaj gjykate.

“Si deputet kam votuar kundër kësaj gjykate, dhe figurat e larta si kjo e Clark dhe të tjera, i bëjnë nderë edhe UÇK-së edhe dëshmorëve po edhe UÇK-së”, përfundoi ish-gjenerali i UÇK-së për FrontOnline.

Syla: Dëshmitë për Thaçin janë vulë e pastërtisë së luftës së UÇK-së

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, për FrontOnline, ka vlerësuar se dëshmitë e fundit në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale po konfirmojnë drejtësinë dhe pastërtinë e luftës çlirimtare.

“Dëshmitë e dëshmitarëve të z. Hashim Thaçi janë vulë e pastërtisë së luftës së UÇK-së. Këta dëshmitar ishin pjesë e pandashme e asaj lufte dhe secila dëshmi e tyre ka peshën dhe rëndësinë e vet në konfirmimin e drejtësisë së luftës sonë çlirimtare”, ka deklaruar Syla.

Ai ka theksuar se beson në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së, nëse procesi gjyqësor zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe të paanshme.

“Nëse do të ketë monitorim të drejtë dhe të paanshëm të punës së kësaj gjykate, ne jemi të bindur se ish-krerët e UÇK-së do të kthehen të pafajshëm, sepse e vërteta është në anën e tyre. Përndryshe, ekziston frika se vendimi përfundimtar mund të ndikohet politikisht, pasi kjo gjykatë ka devijuar nga misioni fillestar për të cilin u themelua”, ka shtuar ai për FrontOnline.

Sa i përket aktiviteteve të organizatës, Syla njoftoi se aktualisht vëmendja është e përqendruar në protestën që do të mbahet në Francë.

“Sa i përket protestave, pas përfundimit të asaj që do të mbahet në Francë, do t’ju njoftojmë nëse do të ketë të tjera. Për momentin, jemi të përqendruar tërësisht në protestën në Strasburg”, tha Gazmend Syla.

 Avokati Qerkini: Dëshmia e Hill është e dorës së parë, Gjykata duhet t’i falë besim

Avokati Artan Qerkini, për FrontOnline, ka vlerësuar se deklarata e ambasadorit amerikan, Christopher Hill, në Gjykatën Speciale ka një rëndësi të madhe për procesin e mbrojtjes.

“Deklarata e Christopher Hill është e një rëndësie të madhe për mbrojtjen, për faktin se ai ka qenë protagonist edhe i bisedimeve gjatë luftës, por edhe i konferencës së paqes në Rambuje”, ka thënë Qerkini për FrontOnline

Ai ka theksuar se dëshmia e Hill duhet të merret me besueshmëri të plotë, pasi vjen nga një burim që ka qenë vetë dëshmitar i zhvillimeve të asaj kohe.

“Pra, dëshmia e tij është dëshmi e dorës së parë, ai nuk ka dëgjuar për faktet, por i ka parë drejtpërdrejt. Marrë parasysh këtë fakt, Gjykata duhet t’ia falë besimin dëshmisë së tij”, ka shtuar avokati Qerkini.