Arijanet Muric, portieri i Sassuolos, dha një intervistë për kanalet zyrtare të klubit, ku foli për mbërritjen e tij në Emilia-Romagna: “Patëm një bisedë të mirë me Grosso. Më telefonoi dhe folëm pak. Isha shumë entuziast të vija këtu dhe të punonim bashkë në këtë projekt. Më pëlqen Italia, është një eksperiencë e re për mua të vij në Serie A, jam afër shtëpisë sime”.
Pse Sassuolo?
E njihja klubin, sepse shoku im i fëmijërisë, Bajrami, luante këtu dhe trajneri im te Kosova, Samuel Kane, ka qenë këtu. Më tha se do të ishte bukur të vija dhe unë iu besova. Qendrat sportive janë shumë të bukura, nuk e prisja. Më pëlqen edhe energjia e njerëzve, është diçka pozitive.
Si është ndikimi i të rinjve?
Si lojtarë të rinj e kemi nisur mirë. Na duhej ndeshja e parë për t’u futur në lojë. Duhet të vazhdojmë të shtyjmë përpara, e kemi nisur mbarë. Sa më shumë të stërvitemi, aq më mirë mund të bëjmë.
Si ka qenë stërvitja juaj me Guardiolën?
Për të mund të them vetëm gjëra pozitive. Është trajner me cilësi dhe iu jep shumë hapësira të rinjve. Shkova në huazim te NAC Breda, klub partner i City. Kur Bravo u dëmtua, më thirrën dhe përjetova një eksperiencë të mirë. Luajta një ndeshje, lashë përshtypje të mirë te trajneri i portierëve dhe më pas ai më çoi te Burnley. Ishte e shkurtër si periudhë, por intensive. U gëzova të kthehesha te City.
Po aventura në Turqi?
Presidenti i Adana Demirspor më telefonoi. E dija që po kontaktonte disa lojtarë. Mendoj se ishte edhe Balotelli shtysë dhe thashë: Hajde, të shohim. Isha i ri, por më pëlqente qyteti i lashtë, plot kulturë. Ishte një vit i bukur, dolëm të pestët ose të gjashtët dhe moti ishte gjithmonë i mirë.
Çfarë raporti ke me Balotellin?
Jemi ende në kontakt. Jetonim bashkë në të njëjtën zonë dhe më thoshte gjithmonë të vija në Itali. Dhe ja ku jam. Më tha vetëm gjëra pozitive, e do shumë Italinë, nuk më gënjeu.
Keni një eksperiencë edhe me Kompany…
Kam luajtur me të, ishim miq. Kur shkoi tek Anderlecht, shkova edhe unë. Pastaj më tha se po shkonte te Burnley dhe shkova sërish. Kisha oferta të tjera, por shkova pas tij. Arritëm rekorde dhe u ngjitëm në Premier League. Si lojtar ishte shumë serioz e strikt, analizonte çdo sulmues. Si trajner është i jashtëzakonshëm, punon nga ora 7 deri më 10. Fantastik.
Cila lloj loje të pëlqen më shumë?
Mund t’i përshtatem gjithçkaje. Kam luajtur në shumë klube, disa donin topa të gjatë, të tjerët lojë me këmbë. Ndihem mirë kudo.
Cilat janë pritshmëritë për këtë vit?
Shpresoj që ky kalim te Sassuolo të më japë energji të reja. Ndihem si i rilindur, sikur mund t’ia nis nga e para.
A ju trembin penalltitë?
Nuk i dua penalltitë, edhe pse janë mundësi për t’u pritur. Të them të vërtetën nuk më pëlqejnë.
The post Nga puna me Guardiolën, Kompany dhe tani në Serie A, rrëfehet në 360 gradë portieri i Kosovës appeared first on Telesport.











