Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, një ditë më parë sulmoi mediat me akuza të rënda, duke i lidhur disa gazetarë me “grusht shteti” dhe “Radoiçiqët”, vetëm pse këta kishin raportuar për vajzat e saj, të cilat janë regjistruar në një shkollë private në Prishtinë. Ajo tha se gazetarët po “përndjekin” fëmijët e saj të mitur dhe se publiku do të “shokohej” nëse do të dinte për veprimtari të paligjshme që, sipas saj, disa prej tyre kryejnë, shkruan Demokracia.com.
Por kjo nuk është hera e parë kur familja presidenciale përplaset me opinionin publik për çështje që lidhen me përdorimin e privilegjeve të pozitës shtetërore.
Në Dhjetor 2021 Demokracia.com raportoi se Prindon Sadriu, në cilësinë e “Zotëriut të Parë”, i ishte drejtuar me shkresë ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, për të legalizuar xhamat e zinj të veturës private të babait të tij, Skender Sadriut. Në kërkesë, Sadriu kishte theksuar se vetura në raste të rralla përdorej edhe nga vetë presidentja.
Demokracia.com kishte siguruar shkresën e Prindon Sadriut, i cili në cilësinë e Zotëriut të Parë i është drejtuar direkt ministrit Sveçla me këtë kërkesë.
“I nderuar Ministër Sveçla: Me shpresën të jeni mirë, në cilësinë e Zotërisë së Parë të Republikës së Kosovës ju kërkoj me konsideratë aprovimin e kërkesës për evidentimin në Certifikatën e regjistrimit të automjetit të folies me ngjyrë të errët të xhamave të përparmë dhe të pasmë të veturës e cila shfrytëzohet nga unë, fëmijët dhe në raste të rralla edhe nga vet Presidentja. Kjo kërkesë bëhet për shkaqe të sigurisë. Ju njoftoj gjithashtu që vetura në fjalë është në shfrytëzim nga babai im me qenë se nuk posedojmë veturën tonën familjare. Prandaj, me konsideratë kërkoj aprovimin e kërkesës në fjalë duke ushtruar diskrecionin tuaj sipas praktikave paraprake nga MPBAP. Detajet e veturës i gjeni të bashkangjitura në Certifikatën e regjistrimit të automjetet të bashkangjitur”, thuhet në kërkesën e Zotëriut të Parë për ministrin Sveçla, e cila përfundon me nderimet e Sadriut.
Demokracia.com kishte siguruar edhe Certifikatën e Regjistrimit të Automjetit, ku shihet se bëhet fjalë për një Mercedes C 200 CDI, tip karavan, me vit të prodhimit 2008, në emër të vjehrrit të presidentes Osmani, Skender Sadriut.
Lidhur me këtë çështje, Demokracia.com i kishte dërguar pyetje Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila drejtohet nga Xhelal Sveçla, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Vlen të përmendet se Skender Sadriu, vjehrri i presidentes Osmani, nuk drejton veturë zyrtare dhe nuk i lejohet vendosja e xhamave të errësuar.
Policia e Kosovës javë më parë kishte bërë të ditur se vetëm gjatë muajit nëntor janë shqiptuar 105 gjoba tek shoferët kosovarë që kanë vozitur automjete me xhama të errësuar.
Në Qershor 2022 – sërish Demokracia.com publikoi pamje nga Gjilani, ku shihej se Policia e Kosovës kishte vendosur një kabinë sigurie dhe ofronte mbrojtje 24-orëshe për prindërit e Prindon Sadriut. Një privilegj i paprecedent për ndonjë “familje të parë” më herët në Kosovë.
Familjet e zonjave të para të shtetit, bashkëshorteve të presidentëve, në të kaluarën asnjëherë nuk ishin ruajtur nga Policia e Kosovës. Nuk ishte ruajtur as familja e bashkëshortit të presidentes Atifete Jahjaga vite më parë. Por, kështu nuk po ndodh me familjen e bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani.
Sikur asnjëherë më parë, tani policët kosovarë ofrojnte siguri 24 orë për prindërit e Prindon Sadriut, shkruan Demokracia.com.
Para shtëpisë së prindërve të Zotëriut të Parë, që gjendet në lagjen “Dardania” në Gjilan, ishte e vendosur një kabinë ku pjesëtarët e Policisë së Kosovës bëjnë roje 24 orë çdo ditë. Ndërsa, në afërsi të shtëpisë së tyre ishin vendosur edhe disa pengesa në rrugë.
Një masë e ngjashme e sigurisë, siç kishte mësuar Demokracia.com, nuk ofrohet as për vetë prindërit e presidentes Vjosa Osmani, as në Prishtinë dhe as në Mitrovicë.
Kjo masë e sigurisë për çiftin presidencial nga ana e Policisë së Kosovës ofrohej vetëm tek banesa e presidentes Osmani në rrugën “Mehmet Gradica” në Breg të Diellit në Prishtinë dhe te shtëpia e prindërve të bashkëshortit të saj, Prindon Sadriut, në Gjilan.
Demokracia.com kishte sjell pamje të kabinës së policisë të vendosur te shtëpia e prindërve të bashkëshortit të Osmanit:
\
Demokracia.com kishte dërguar pyetje në Policinë e Kosovës dhe në Zyrën e Presidentit lidhur me këtë çështje, por as pas disa ditësh pritjeje, asnjëra palë nuk kanë kthyer përgjigje.
Këto raste së bashku krijojnë një tablo të qartë, ndërsa në të kaluarën Sadriu dhe familja e tij kanë përfituar privilegje që shkojnë përtej praktikave të mëhershme shtetërore nga kërkesa për vetura me xhama të zinj e deri te sigurimi policor 24-orësh për prindërit e tij, tani presidentja dhe bashkëshorti i saj e kanë zhvendosur betejën te mediat, duke i cilësuar gazetarët si rrezik për shtetin. /Demokracia.com/