Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e parë që Qeverisë “Kurti 3”, u është drejtuar ministrave duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë që bartin në shërbim të qytetarëve dhe shtetit.
Kryeministri shtoi se përvoja e fituar gjatë mandatit të kaluar, e bëjnë kabinetin e ri qeveritar më të suksesshëm në historinë e re.
“Shërbimi ndaj republikës dhe qytetarëve me punë e zell, nder dhe përkushtim është privilegji më i madh që do ta keni dhe do ta gëzoni nga këto ulëse këtu dhe zyrat tuaja.
Mësimet që kemi nxjerrë gjatë mandatit të kaluar dhe përvojën që kemi fituar së bashku me ekspertizën dhe dijet tuaja profesionale më bëjnë të besoj që ky kabinet i ka të gjitha parakushtet që të jetë kabineti qeveritar më i suksesshem në historinë e re të republikës sonë që shumë shpejt i mbush 18 vjet”, tha Kurti.
Tutje ai tha se pritjet e qytetarëve ndaj Qeverisë janë të larta dhe përbëjnë standardin që vetë ekzekutivi ka vendosur gjatë mandatit të kaluar.
“Pritjet që qytetarët kanë nga ne janë dëshmi e vetë standardit që e kemi vendosur ne dhe që duhet ta nderojmë e ta përmbushim”, theksoi ai.










