Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nuk zotëron prona vetëm në Londër, por edhe në Suedi. Në deklarimin e pasurisë për vitin 2024, të dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit më 30 mars 2025, Rama kishte bërë publike dy pasuri të ndara që lidhen me shtetin skandinav, një pronë të blerë në Gladsax dhe një pjesëmarrje në një kompani suedeze, shkruan Demokracia.com.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nuk zotëron prona vetëm në Londër, por edhe në Suedi.
Sipas deklarimit zyrtar, Rama kishte raportuar se është bashkëpronar me 12.5 për qind të aksioneve në kompaninë suedeze Infinity 8 AB, me një vlerë prej 300 mijë eurosh. Ky investim, sipas të dhënave të regjistrit suedez të bizneseve (Bolagsverket), i përket një kompanie të themeluar në Malmö, e cila ka për objekt ndërtimin dhe tregtinë e materialeve ndërtimore. Megjithatë, raportet financiare për vitin 2024 tregojnë se kompania nuk ka pasur qarkullim tregtar dhe ka përfunduar vitin me humbje të vogla, çka e bën të paqartë funksionimin e saj real.
Përveç aksioneve në këtë kompani, Rama ka përfshirë në deklarim edhe një pronë të blerë në Suedi, të regjistruar me përshkrimin “Gladsax – Sweden”, me vlerë 300 mijë funta dhe vit blerjeje 2017. Në formularin e dorëzuar nuk jepen detaje të tjera – as sipërfaqja, as adresa e saktë, e as lloji i pronës (nëse është banesë, truall apo objekt afarist).

Në deklarimet e mëparshme të dorëzuara për vitin, 2024, 2023, 2022 dhe vitet paraprake, nuk figurojnë të dhëna për pronën suedeze apo për ndonjë investim të raportuar në Gladsax, megjithëse vetë Rama ka deklaruar se përfitimi i tyre daton në vitin 2017. Kjo krijon mospërputhje të dukshme në raportimin e pasurisë dhe ngre dyshime mbi deklarimin.
Në formularin e vitit 2025 shfaqen gjithashtu edhe prona të tjera të lujtshme që nuk janë përmendur më herët, banesa dhe objekte afariste në Londër, përfshirë:
Studiorama Ltd në Croydon,
banesën në Westbourne Park Road,
apartamentin në Campden Hill Mansions,
si dhe aksione në kompani të tjera britanike dhe suedeze.
Pos pronës në Suedi, edhe disa prej këtyre pasurive, edhe pse janë blerë përpara vitit të deklarimit, janë raportuar vetëm në formularin e vitit 2025, duke krijuar një mozaik të pjesshëm e të paqartë për publikun dhe autoritetet mbikëqyrëse.
Në rubrikat e tjera të formularit pasqyrohen gjithashtu kredi të mëdha për blerje banesash dhe objekte afariste në Londër, disa prej të cilave kalojnë shifrën prej gjysmë milioni eurosh. Ndërkohë, në seksionin e depozitave dhe parasë së gatshme, shumica e të ardhurave nga qiratë jashtë vendit janë raportuar vetëm si shifra bruto në funta, pa u konvertuar në euro dhe pa shpjeguar vlerën neto. /Demokracia.com/









