Nga letra në digjitalizim: Izolimi apo lehtësim për komunikimin social?

Kalimi i librave në formë të digjitalizuar aq sa ka sjellur avantazh, ka sjellur edhe disavantazhe pasi që kjo formë sipas sociologëve dhe psikologëve rrezikojnë izolim emocional dhe mungesë të ndërveprimit social.

Në një epokë kur teknologjia po ndryshon mënyrën se si konsumojmë informacionin, dixhitalizimi i leximit është bërë një fenomen i rëndësishëm që ndikon në sjelljet dhe marrëdhëniet tona sociale.

Kalimi nga librat fizikë te ata elektronikë (e-books) dhe audiobooks ka sjellë avantazhe të mëdha në akses dhe lehtësi, por ka ngritur edhe shqetësime në lidhje me përqendrimin dhe ndikimin social të leximit.

Sipas njohësve të fushave sociale, ky zhvillim ka ndikuar ndjeshëm në sjelljet dhe zakonet e lexuesve, duke shënuar rritje edhe në përdorimin e librave elektronikë.

Sociologia Erisë Hajrizi, gjatë një bisedë për Albanian Post, vlerëson se në aspektin e librave, ndikimi i dixhitalizimit tek njerëzit nuk është negativ.

“Përdorimi i librave elektronikë (e-books) dhe audiobooks është rritur, duke ofruar lehtësi dhe akses më të madh në përmbajtje letrare. Megjithatë, ky ndryshim nuk ka qenë pa pasoja, pasi ka ndikuar në mënyrën se si lexojmë dhe përjetojmë librat”, deklaroi ajo për Albanian Post.

Sipas saj, rezultatet pozitive të leximit dixhital i tregojnë edhe studimet e realizuara.

“Nxënësit që lexonin tekste në letër ishin më të aftë t’i përgjigjeshin pyetjeve mbi përmbajtjen sesa ata që lexonin në pajisje elektronike. Komunikimi që një libër transmeton tek individët është një proces subjektiv dhe ndikon në mënyra të ndryshme te secili lexues, varësisht nga përvoja e tij personale dhe konteksti shoqëror”.

Sociologia Erisë Hajrizi

Hajrizi përmend edhe format e reja të diskutimit rreth librave.

“Format e komunikimit online dhe platformat dixhitale mund ta lehtësojnë ndarjen e ideve rreth librave dhe diskutimin mbi to. Shembuj, forumet e leximit, grupet në rrjetet sociale dhe platformat si Goodreads kanë krijuar një hapësirë të re për diskutime letrare”.

Por, megjithatë, ajo vlerëson se ekziston edhe rreziku që leximi të bëhet një aktivitet më i izoluar.

“Nëse përdorimi i platformave dixhitale shfrytëzohet për të nxitur diskutimin mbi librat, kjo mund të ketë një ndikim pozitiv në marrëdhëniet sociale. Por, nëse leximi mbetet një aktivitet i ndarë dhe pa diskutim të mëtejshëm, atëherë mund të ketë një reduktim të bisedave tradicionale që ndodhnin dikur në biblioteka, kafene apo rrethe letrare”, thotë Harizi.

Nga ana tjetër, psikologu Adis Shefkiu deklaron për Albanian Post se leximi i librave elektronikë ka avantazhet dhe disavantazhet e veta në përqendrim dhe kujtesë, pasi librat fizikë angazhojnë më drejtpërdrejt proceset kognitive.

“Kur lexojmë një libër fizik, ndodhemi në një mjedis të kontrolluar, ku mund të rritet përqendrimi dhe imazhet mentale të krijuara janë më të forta, duke ndihmuar kështu kujtesën më të qëndrueshme dhe procesin e mësimit”.

“Audiobooks janë të dobishëm për ata që preferojnë mësimin pasiv dhe për ato raste kur leximi është i pamundur për shkak të mungesës së kohës, ndërsa e-books ofrojnë komoditet dhe akses të shpejtë”, sqaron Shefkiu për Albanian Post.

Psikologu Adis Shefkiu

Nga përvoja e tij, ai paralajmëron se studimet sugjerojnë se audiobooks mund të ofrojnë një përvojë më të kufizuar në krijimin e imazheve mentale dhe përqendrimin krahasuar me librat fizikë.

“Përdorimi i ekranit nga e-books mund të ketë efekte negative në shëndetin e syve dhe në cilësinë e gjumit, për shkak të ekspozimit ndaj dritës blu”.

Ngjashëm si Hajrizi, edhe Shefkiu thekson se ekziston rreziku i mundshëm për një izolim emocional dhe mungesë të ndërveprimit social.

“Përdorimi i tepruar i audiobooks dhe e-books mund të çojë në një ndjenjë të izolimit emocional dhe në reduktimin e ndërveprimeve sociale, pasi leximi bëhet më individual”.

Si ndikon teknologjia në të ardhmen e leximit tradicional?

Si Hajrizi ashtu edhe Shefkiu nuk besojnë se librat fizikë do të zhduken plotësisht. Përkundrazi, ata argumentojnë se leximi tradicional dhe ai dixhital do të bashkëjetojnë, duke i lejuar lexuesit të zgjedhin format që i përshtaten më mirë nevojave dhe preferencave të tyre.

Sipas Hajrizit, librat fizikë vazhdojnë të jenë të rëndësishëm për përvojën unike që ofrojnë, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë mes lexuesit dhe materialit të shkruar.

“Përdorimi i librave fizikë mbetet i rëndësishëm për përvojën që ofrojnë, ndërkohë, e-books dhe audiobooks ofrojnë fleksibilitet për lexuesit e zënë dhe ata që kërkojnë komoditet”.

Ndërkohë, Shefkiu thekson se teknologjia ka ndihmuar në përmirësimin e leximit dixhital, duke e bërë atë më të ngjashëm me përvojën tradicionale.

“Avancimet teknologjike po e afrojnë gjithnjë e më shumë përvojën e librave elektronikë me atë të librave fizikë”.

Dixhitalizimi i leximit ka transformuar mënyrën se si njerëzit qasen ndaj librave, duke ofruar avantazhe dhe sfida, ku sfida kryesore mbetet ruajtja e një ekuilibri mes këtyre dy formave.