Nga LDK-ja te kontrata me Vetëvendosjen: Psikiatri që fitoi tenderin në Ministrinë e Hekuran Muratit

Një kontratë për shërbime të veçanta në ministrinë e Hekuran Muratit ka zgjuar kureshtje për shkak të profilit politik të fituesit, shkruan Demokracia.com.

Ministria e Financave, Punës dhe Transferëve, e drejtuar nga Hekuran Murati i Vetëvendosjes, ka kontraktuar specialistin e psikiatrisë Kujtim Prekazin për komisionet e vlerësimit mjekësor, me një kontratë njëvjeçare në vlerë prej 15,555.00 euro.

Detyrat e tij përfshijnë vlerësimin e individëve përmes dokumentacionit mjekësor dhe konsultimeve të drejtpërdrejta, si dhe përcaktimin e shkallës së aftësisë së kufizuar sipas kritereve ligjore. Procesi i vlerësimit mund të zhvillohet në hapësirat e ministrisë, në degët e saj lokale ose, në raste të veçanta, edhe përmes vizitave në shtëpi.

Ajo që e bën këtë kontratë të pazakontë është fakti se Kujtim Prekazi ka një histori të gjatë me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ai ishte kandidat për deputet nga radhët e kësaj partie në vitin 2019, megjithëse nuk arriti të sigurojë një ulëse në Kuvend. Përveç kësaj, ai ka mbajtur edhe pozicionin e asamblistit të LDK-së në Mitrovicë dhe vijon të jetë aktiv politikisht.

Madje, postimi i tij i fundit në Facebook ishte një mbështetje e hapur për kandidatët e kësaj partie në zgjedhje.

Pavarësisht përkatësisë së tij politike, tani ai ka siguruar një kontratë nga një ministri e drejtuar nga një parti që është në raport të ‘ashpër’ politik me LDK-në. /Demokracia.com/