Një vit më parë, ai ishte surpriza e merkatos së gushtit të Juventus, duke kaluar nga një mister i Next Gen në golashënuesin e parë të epokës së Thiago Motta vetëm në pak ditë. Dymbëdhjetë muaj më vonë dhe pas një sezoni me 32 paraqitje (katër gola dhe pesë assist), Samuel Mbangula është larguar nga bardhezinjtë për të luajtur me Werder Bremen.
Ai nuk i ka kursyer kritikat ndaj klubit italian, që sipas tij nuk i besuan. “Më mungon Juventus, por tani kam ecur përpara. Në Gjermani, kam gjetur një stil futbolli më të lirë dhe më pak taktik se sa në Serie A dhe jam i bindur se do të ndihem si në shtëpi. Do të doja të kisha një sezon me shifra dyshifrore për sa i përket asisteve dhe golave“, tha 21-vjeçari belg.
I pyetur nëse do të kishte dashur të qëndronte me Juventus, ai shtoi: “Sigurisht, por ky është futbolli. Klubi më bëri një deklaratë të qartë: Na vjen keq, por duhet të mbledhim parà dhe jemi të detyruar t’ju shesim.’ Gjithçka ishte mëse e qartë dhe s’kisha alternativë tjetër”.
Mbangula, duke folur për trajneri Igor Tudor, tha: “Me të nuk luajta. Gjatë Kupës së Botës në Amerikë e diskutuam këtë çështje. I thashë trajnerit se do të isha i gatshëm të luaja si mbrojtës i krahut, si mesfushor sulmues dhe madje edhe si mesfushor mbrojtës në formacionin e tij. Ai më tha që nuk isha pjesë e planit. Ai thjesht nuk më pa”.
The post “Nga Juventus më larguan se kishin nevojë për parà, trajneri Tudor s’më shihte dot me sy” appeared first on Telesport.