Nga janari nis goditja e re fiskale: 200% rritet tatimi në pronë

Deri në 200 % pritet rritja e tatimit në pronë nga janari 2026 për bizneset komerciale. Një rritje e tillë po konsiderohet si e papërballueshme dhe e dëmshme për qyretarët e Kosovës, duke marr parasysh koston e rritur të jetës.

Kryetari i Asociacionit të komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi tha se një rritje e tillë mund të ndodhë, por që do të ketë efekt negativ tek bizneset dhe qytetarët.

“Po, mund të rriten shumë më shumë se këtë vit, dhe dua ta theksoj qartë se po flasim gjithmonë për prona komerciale, pra për prona që përdoren për veprimtari ekonomike. Në disa raste faturat e tatimit në pronë për pronat komerciale mund të rriten mbi 200%, e në disa raste edhe më shumë, për shkak të shkallës progresive të tatimit në pronë të paraparë me ligjin aktual”.

“Kjo rritje prek drejtpërdrejt bizneset. Tatimi në pronë për pronat komerciale është një kosto e drejtpërdrejtë për ndërmarrjet prodhuese, tregtare dhe shërbyese. Rritje të tilla përkthehen në rritje të kostove operative, ndikojnë në likuiditet, në aftësinë për investime të reja dhe, në disa raste, edhe në vendimmarrje për vende pune apo çmime për konsumatorët”, shton Ibrahimi.

Kryetari i AKK thotë se rritja e tatimit në pronë ishte parparë të ndodhte në vitin 2025, përmes ligjit për Buxhetin e vitit 2025.

“Rritja ishte paraparë të ndodhte në vitin 2025, por përmes Ligjit të Buxhetit për vitin 2025 zbatimi i saj është pezulluar, pikërisht për t’i hapur rrugë amandamentimit të ligjit. Fatkeqësisht, për shkak të mosfunksionimit të institucioneve qendrore, ky proces nuk ka avancuar”, shtoi ai.

Pikërisht për këtë, ish-ministri i Financave, Haki Shatri në një prononcim për Periskopin konsideron se është i jashtëligjshme, pasi sipas tij nuk mundet një ligj tjetër ta nënshkruaj një ligj krejt bazik.

“Në qoftë se këta kanë synu diçka në këtë ligjin për buxhetin dhe me parapa ndonjë ndryshim ajo është krejt e paligjshme, jologjike se nuk mundet me një ligj tjetër me nënshkru një ligj krejt bazik. Edhe pse ai dokument për buxhetin nuk është valid sepse konsiderohet i jashtëligjshëm edhe ai, por nëse dikush synon me bë atë rritje te shohim kush janë ata”, tha Shatri

Sipas Shatrit, rritjen e tatimit në pronë  prej 200% mund ta bëjë vetëm një qeveri që është armiqësore me qytetarët e vendit.

“Kjo me ndodhë, veç një qeveri që është krejtësisht armiqësore ndaj qytetarëve mundet me marrë këtë vendim, por një qeveri normale e këtij vendi nuk mundet me marr vendim me u rrit tatimi në pronë 200%, ndonjë qeveri e huaj, ndonjë qeveri armiqësore që se ka qëllim mirëqenien e këtij populli mundet me bë për naj qëllim të vetin parcial, por atëherë duhet edhe reagimi i qytetarëve, duhet me u ni që është gjallë dikush këtë vend”,  shtoi Shatri.

“Ligji për tatimin në pronë është ligj i vecantë edhe nëse duhet me u ndryshu ai ligj duhet me kalu nëpër procedura, me ardh propozimi prej subjekteve: Asocioacioni i komunave, Ministria e Financave dhe krejt këto struktura që merren me atë. Me dalë si vendim i qeverisë, qeveria me çu në Kuvend dhe Kuvendi me aprovu. Nëse e aprovon edhe atëherë me u fuqizu ajo, por nuk mundet askush me nënshkru ligjin për tatimin në pronë vec pse i bjen në mend natën e çohet në sabah e bën ndryshimin”, tha ai.

Për rritjen e tatimit në pronë kishin reaguar edhe nga partitë opozitare, madje kishin kërkuar edhe rishikimin e ligjit.

Avdullah Hoti, ish-kryeministër i Kosovës, kishte kritikuar qeverisjen e deritanishme, duke thënë se pasojat e një qeverisjeje të mbrapshtë katërvjeçare tani po i vuajnë qytetarët.

Ai ka theksuar se qytetarët po përballen jo vetëm me rritje të tatimit në pronë, por edhe me shtrenjtim të energjisë elektrike dhe të shportës së konsumit të përditshëm, duke theksuar se këto rritje janë pasojë e keqmenaxhimit të financave dhe politikat që, sipas tij, kanë dështuar në përmirësimin e kushteve ekonomike për qytetarët.

“Viti 2025 nis me fatura të rritura të tatimit në pronë. Në një rast konkret, fatura është 60% më e lartë krahasuar me vitin 2021. Pasojat e qeverisjes së mbrapshtë 4-vjeçare po i vuajnë qytetarët me rritje të tatimit në pronë, me shtrenjtim të energjisë elektrike dhe të shportës së konsumit të përditshëm”, pati shkruar ai në Facebook.