Nga heronj në zhgënjim; notat e kuqezinjve tregojnë gjithçka pas humbjes ndaj Polonisë

Humbja 2-1 ndaj Polonisë nuk la vetëm zhgënjim në rezultat, por edhe një pasqyrë të qartë të performancës individuale të kuqezinjve, të reflektuar në notat e publikuara nga “SofaScore”. Mes dritë-hijeve, disa lojtarë spikatën, ndërsa të tjerë mbetën poshtë pritshmërive në një ndeshje ku Shqipëria lunate për të hyrë në histori.

Sipas vlerësimeve të sajtit të njohur ndërkombëtar të statistikave, cituar më sipër, më të mirët në fushë për Shqipërinë ishin Arbër Hoxha, autori i golit, dhe Juljan Shehu, të dy me notën 7.3, duke qenë motorët kryesorë të ekipit në një sfidë të luftuar deri në fund. Menjëherë pas tyre renditet Elseid Hysaj me 7.2, ndërsa Qazim Laçi plotëson katërshen më të mirë me notën 7.0.

Në një nivel të qëndrueshëm, por jo vendimtar, u paraqitën Kristjan Asllani (6.9), Mario Mitaj (6.8) dhe Arlind Ajeti (6.7). Të njëjtën notë mori edhe Armando Broja, i cili pati momente të mira, por nuk arriti të bëjë diferencën në momentet kyçe si zëvendësues.

Në mes të tabelës së vlerësimeve gjenden Ardian Ismajli, Berat Djimsiti dhe Ernest Muçi, të tre me notën 6.6, ndërsa Myrto Uzuni dhe Stavro Pilo u vlerësuan me 6.5, duke mos lënë gjurmë të fortë në lojë.

Në fund të renditjes qëndrojnë performancat më zhgënjyese të ndeshjes: Nedim Bajrami me notën 6.2 dhe mbi të gjitha Thomas Strakosha, i cili u vlerësua me vetëm 5.5, nota më e ulët e skuadrës kuqezi dhe tregues i një mbrëmjeje të vështirë për portierin tonë.

Në total, mesatarja e ekipit kuqezi ishte 6.69, reflektim i një paraqitjeje të mirë në aspektin e lojës dhe guximit, por që në fund nuk u përkthye në rezultat. Shqipëria luajti si e barabartë, por në detajet që vendosin ndeshje të tilla, diferencën e bëjnë pikërisht ata që mbrëmë morën notat më të ulëta. Krejt e kundërta te Polonia, ku diferencën e bënë dy yjet e saj, Lewandowski (Barcelona) dhe Zielinski (Inter).

 

The post Nga heronj në zhgënjim; notat e kuqezinjve tregojnë gjithçka pas humbjes ndaj Polonisë appeared first on Telesport.