Viti 2025 u shënua si një tjetër vit i shtrenjtimeve dhe i goditjeve të njëpasnjëshme mbi standardin e jetesës. Qytetarët u përballën me fatura më të larta të energjisë, ndërsa bizneset u detyruan të kalojnë në tregun e lirë të energjisë – zhvillime që prodhuan gërryerje të mëtejme të fuqisë blerëse, pasiguri për bizneset dhe, si efekt zinxhir, rikthimin e presioneve inflacioniste, veçanërisht te produktet bazë.
Inflacioni
Rritja e çmimit të energjisë në fillim të vitit, sipas njohësve të ekonomisë, konfirmoi saktësinë e paralajmërimeve: pritshmëritë për shtrenjtim e energjisë ushqyen një cikël të ri të rritjes së kostos së jetesës. Energjia u shndërrua në katalizator, duke e përhapur presionin e çmimeve nga prodhimi e logjistika te raftet e marketeve dhe shërbimet bazike.
Si pasojë e këtyre zhvillimeve, inflacioni në Kosovë mori një trajektore dukshëm më të rëndë sesa mesatarja e Bashkimit Evropian, duke dëshmuar se këtë herë nuk bëhej fjalë për inflacion të importuar, siç ishte një nga arsyetimet e shpeshta të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për krizën e viteve të kluara.
Ajo që në janar dukej si një luhatje e lehtë, deri në nëntor 2025 u kristalizua në një presion serioz të kostos së jetesës. Të dhënat e fundit e shpërfaqin qartësisht këtë realitet: inflacioni pothuajse u katërfishua brenda njëmbëdhjetë muajve.
Në të njëjtën kohë, mesatarja e BE-së sillej rreth 2,4%, ndërsa zona e euros qëndronte në 2,0%, sipas të dhënave të Eurostat për korrik 2025. Kjo do të thotë se në gjysmën e dytë të vitit, Kosova hyri në një “klimë çmimesh” pothuajse dy herë më të ashpër se ajo e BE-së, shkruan Nacionale.
Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit i Agjencisë së Statistikave të Kosovës e pasqyron këtë dinamizëm: nga një normë vjetore prej 1,5% në janar, inflacioni u rrit në 5,3% në nëntor, ndërsa rritja mujore në nëntor ishte 0,4%. Goditja më e ndjeshme u pa te ushqimet bazë, energjia dhe një sërë shërbimesh, duke e kthyer “valën e lehtë” të fillimvitit në një presion të vazhdueshëm dhe të rëndë mbi buxhetet familjare.
Deficiti tregtar
Përtej çmimeve të brendshme, viti 2025 nxori në pah se Kosova vazhdon të ballafaqohet me dobësi strukturore të ekonomisë. Kosova bleu shumë më tepër nga jashtë sesa arriti të shesë jashtë vendit, dhe peshorja tregtare mbeti rëndshëm e anuar.
Gjatë vitit, eksportet mbuluan vetëm 12–14% të importeve. Në terma të thjeshtuar: për çdo 100 euro mallra që hyjnë në vend, vetëm rreth 12–14 euro mbulohen nga shitjet jashtë, duke e zgjeruar deficitin muaj pas muaji.
Korriku ishte muaji më i rëndë: deficiti tregtar arriti 576,4 milionë euro. Importet ishin 660,2 milionë euro, ndërsa eksportet vetëm 83,8 milionë euro, me mbulim 12,7%. Krahasuar me korrikun 2024, importet u rritën me 13,5%, ndërsa eksportet ranë me 2,4%.
As gushti nuk solli lehtësim: deficit 536,8 milionë euro, me eksport 76,2 milionë dhe import 613,1 milionë. Eksportet ranë me 8,7% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa importet u rritën 5,3%. Mbulimi i importit ra në 12,4% – një nga nivelet më të ulëta të vitit.
Në mars, deficiti u ngjit në 535,7 milionë euro, me eksport 74,7 milionë kundrejt importit 610,5 milionë; mbulimi ra në 12,2%. Në të njëjtën kohë, eksportet ranë 7,2% nga viti i kaluar, ndërsa importet u zgjeruan me 17,3%. Ky kombinim – rënie e eksportit dhe zgjerim i importit – i jep deficitit jo vetëm përmasa më të mëdha, por edhe karakter më këmbëngulës.
Projeksionet e rritjes ekonomike
Projeksionet më të fundit të institucioneve ndërkombëtare – FMN-ja dhe Banka Botërore – parashikojnë një rritje të BPV-së prej vetëm rreth 3.8–3.9% në periudhën 2025–2027 për Kosovën. Një ritëm modest, që megjithatë brenda kornizës së Ballkanit Perëndimor mund të duket “pozitiv” në krahasim me fqinjët.
Në periudhën para pandemisë (2012–2019), Kosova kishte vite të njëpasnjëshme me rritje reale mes 4–5%, madje disa mbi 4.5%.
Pas vitit 2022, ritmi ka stagnuar: rritja rrallë e kalon 4.3%, ndërsa për dekadën 2025–2030 parashikimet flasin për vetëm 3–4% – shumë më poshtë se norma që do të duhej për atë që njihet si konvergjencë reale ekonomike me vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian.
Në raport me qeveritë e mëparshme, rrjedha e rritjes ekonomike është e zbehur ndjeshëm. Edhe nëse 2025 sjell “rritjen më të lartë në rajon”, ajo do të ndodhë në një vit me performancë të dobët për gjithë Ballkanin.










