Nga e hëna në të premtën, çfarë moti do të jetë javën e fundit të tetorit

Java e fundit e tetorit (27–31 tetor 2025) do të karakterizohet me ndryshueshmëri të kushteve meteorologjike, duke filluar me mot kryesisht të vranët dhe me mundësi reshjesh lokale, ndërsa në pjesën e dytë të javës pritet përmirësim i dukshëm i motit dhe rritje e ndjeshme e temperaturave.

Sipas parashikimeve, dita e hënë do të jetë kryesisht e vranët me riga lokale shiu në disa rajone të vendit. Nga e marta pritet stabilizim gradual i kushteve atmosferike, me më shumë diell dhe ngrohje të lehtë të ajrit, sidomos në orët e mesditës. Temperaturat minimale do të jenë të ulëta në fillim të javës, por do të shënojnë rritje të ndjeshme drejt fundjavës, duke arritur vlera tipike për këtë periudhë të vitit.

Këto ndryshime pritet të ndikojnë pozitivisht në aspektin agrometeorologjik. Reshjet e fundit kanë kontribuar në rritjen e lagështisë së tokës dhe në rimbushjen e rezervave ujore në shtresat e sipërme, çka është e rëndësishme për mbjelljet e vjeshtës dhe përgatitjen e tokës për sezonin e ardhshëm bujqësor. Ndërkohë, rritja e temperaturave dhe rrezatimi diellor gjatë ditëve të fundit të javës do të krijojnë kushte të favorshme për zhvillimin e proceseve fiziologjike të bimëve dhe rigjenerimin e kullotave.

Në përgjithësi, java do të jetë e përshtatshme për aktivitetet bujqësore si punimet e tokës, krasitjet, plehërimet bazë dhe kontrollin fitosanitar.

Parashikimi ditor

E hënë, 27 tetor
Moti kryesisht i vranët, me mundësi për riga lokale shiu.

  • Temperaturat minimale: 5–8°C
  • Temperaturat maksimale: 10–13°C
  • Era: nga veriperëndimi, e lehtë deri mesatare.

E martë, 28 tetor
Moti i vranët me intervale me diell.

  • Temperaturat minimale: 2–4°C
  • Temperaturat maksimale: 10–13°C
  • Era: nga veriperëndimi, 1–4 m/s.

E mërkurë, 29 tetor
Moti me diell dhe vranësira të shpërndara.

  • Temperaturat minimale: 0–2°C
  • Temperaturat maksimale: 13–16°C
  • Era: nga jugperëndimi, 1–5 m/s.

E enjte, 30 tetor
Moti me diell dhe vranësira të shpërndara.

  • Temperaturat minimale: -1–2°C
  • Temperaturat maksimale: 15–18°C
  • Era: nga juglindja, 1–3 m/s.

E premte, 31 tetor
Moti kryesisht me diell dhe vranësira të lehta.

  • Temperaturat minimale: 2–5°C
  • Temperaturat maksimale: 16–19°C
  • Era: e lehtë deri mesatare nga jugperëndimi.