Nga diplomacia në dramë: Gërvalla përgatitet për “betejën” e së hënës, flet sikur është në “luftë”

Në një postim pas përfundimit të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, ish-ministja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka përdorur një gjuhë të ashpër politike, duke përshkruar situatën aktuale si një betejë të vazhdueshme me opozitën.

“Shteti nuk është i shantazhueshëm. Sot e tejkaluam bllokadën e parë të opozitës dhe bëmë betimin si deputetë. Vazhdojmë të hënën betejën parimore dhe aspak të lehtë për konsolidimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit”, ka shkruar Gërvalla.

Deklarata e saj vjen pas dy përpjekjeve të dështuara të Kuvendit për të zgjedhur kryetaren e re. Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe në Kuvend, ka propozuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por ajo ka marrë vetëm 57 vota në secilin nga dy votimet – të pamjaftueshme për t’u zgjedhur.

Pavarësisht deklarimeve të mëhershme të VV-së se “i kanë numrat”, Nisma Socialdemokrate abstenoi në votim, duke sfiduar pritjet për një marrëveshje të mundshme mes dy partive.

Seanca e radhës për përpjekjen e tretë në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit është caktuar për të hënën, në orën 15:00.