Kompania austriake Kelkos Energy, e cila prej vitesh ka qenë një ndër subjektet më të kritikuara në sektorin energjetik të Kosovës, ka hapur zyrtarisht procedurë arbitrazhi ndërkombëtar kundër Qeverisë së Kosovës.
Seanca e parë dëgjimore është mbajtur në Vjenë nga 20 deri më 24 tetor 2025, duke shënuar kështu fillimin e një procesi të gjatë juridik që mund t’i kushtojë Kosovës miliona euro.
Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar për Periskopin mbajtjen e seancës së parë.
Ndërkaq, Kellag, kompania ame e Kelkos me qendër ne Klagenfurt, Austri, ka refuzuar vazhdimisht te përgjigjet ne pyetjet e Periskopit rreth arbitrazhit dhe shkeljeve te supozuara.
Seanca e parë dëgjimore vjen pas një periudhe të mbushur me akuza për shkelje mjedisore, mungesë transparence, presion ndaj aktivistëve të shoqërisë civile dhe raporte të tensionuara me institucionet e shtetit të Kosovës.
Sipas konfirmimit nga Ministria e Drejtësisë, gjatë seancës janë deklaruar palët, janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë të propozuar nga të dyja palët, si dhe janë prezantuar edhe dy ekspertë ndërkombëtarë të mjedisit.
Ndërsa seanca e radhës do të mbahet në qershor 2026, datë që caktohet nga Tribunali, kanë konfirmuar nga Ministria e Drejtësisë.
“Republika e Kosovës ka qenë e përfaqësuar nga dy avokat shtetëror dhe katër avokat të kompanisë ligjore ndërkombëtare e cila është kontraktuar me rastin e pranimit të padisë nga Tribunali.”, kanë thënë për Periskopin nga Ministria e Drejtësisë, pa dhënë detaje të tjera.
Ekspertet shfaqin brengen, se procesi i arbitrazhit është duke u zhvilluar ne heshtje te plote dhe në mënyrë jo transparente qe le hapur mundësinë e marrëveshjeve te fshehta ne dem te taksapaguesve.
Përndryshe, prej fillimit të operimit në Kosovë, aktivitetet e Kelkos Energy janë shoqëruar me kritika të vazhdueshme.
Organizatat mjedisore në Kosovë kanë akuzuar vazhdimisht kompaninë se ka marrë leje mjedisore dhe leje shfrytëzimi të ujit pa proces të hapur publik, madje në disa raste përmes procedurave të përshpejtuara dhe jo transparente.
Gjykata Supreme e Kosovës ka urdhëruar më herët pezullimin e tri hidrocentraleve të Kelkos’it në Deçan, duke konstatuar se kompania nuk i ka plotësuar detyrimet ligjore. Ky është një prej rasteve të rralla ku një investitor i huaj energjetik është gjykuar publikisht për shkelje që kanë dëmtuar mjedisin.
Po ashtu, në vitet 2020–2021, Kelkos ngriti padi për shpifje kundër aktivistëve Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferi, kërkesa që u cilësuan gjerësisht si SLAPP padi, procedura që synojnë të frikësojnë dhe heshtin kritikët.
Organizata të mëdha ndërkombëtare, përfshirë Amnesty International, dënuan publikisht qasjen e Kelkos’it, duke e akuzuar kompaninë se po tentonte përmes padive t’ua mbyll gojën zërave kritikë.
Vetëm pas presionit të madh publik, Kelkos u detyrua t’i tërheqë paditë në tetor 2021, duke e pranuar heshturazi se kritikat ishin të bazuara.
Ndërtimi dhe operimi i hidrocentraleve të “Kelkos Energy” në Deçan është shoqëruar me një varg akuzash per shkelje ligjore dhe degradim të mjedisit.
Sipas raportit të grupit punues të MMPHI dhe organizatave si GLPS (Grupi për Studime Juridike dhe Politike), Kelkos ka përfituar leje ujore në vend të procesit të koncesionit, duke anashkaluar procedurën konkurruese dhe transparencën publike.
Sipas tyre, hidrocentralet ishin ndërtuar në kundërshtim me distancat që përcaktohen me ligj rreth shtratit të lumenjve, në zona të mbrojtura si Parku Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”dhe zona e mbrojtur e Manastirit të Deçanit, shpesh pa leje mjedisore, faktikisht duke operuar në mënyrë ilegale.
Po ashtu, një hulumtim i organizatës Çohu! (www.cohu.org/blog/shteti-i-pafuqishem-perballe-shkeljeve-te-hidrocentraleve) theksonte se vlerësimi i ndikimit në mjedis i bërë nga Kelkos nuk pasqyron gjendjen reale, ndërsa punimet, gypat, tubacionet, kabllot, janë kryer edhe pa leje ndërtimi. Kjo, sipas raportit, ka shkaktuar tharje të rrjedhave, dëmtim të tokave bujqësore, shkatërrim të biodiversitetit dhe ndryshim të gjeografisë në Grykën e Deçanit
Tashmë, përmes arbitrazhit ndërkombëtar, Kelkos kërkon të paraqitet si palë e dëmtuar, pavarësisht se në Kosovë ka operuar me licenca të kontestuara, si dhe ka gjeneruar fitime të mëdha nga një resurs natyror publik.
Ekspertët paralajmërojnë se arbitrazhi, nëse vendoset kundër Kosovës, mund t’i kushtojë buxhetit të shtetit dhjetëra miliona euro, ngjashëm me rastin e humbur ndaj ContourGlobal, ku Kosova pagoi mbi 20 milionë euro.
Nëse Kelkos fiton arbitrazhin, pasojat do të bien drejtpërdrejt mbi taksapaguesit kosovarë – edhe pse janë pikërisht qytetarët e Kosovës ata që për vite të tëra kanë paguar koston ekologjike dhe sociale të operimit të kësaj kompanie.
Për Kosovën, ky arbitrazh është një test serioz i integritetit institucional. Për Kelkos’in, është një përpjekje e re për të pastruar imazhin e vet, pas një dekade akuzash për shkelje dhe presion ndaj shoqërisë civile, dhe një përpjekje për t’ia marr Kosovës edhe disa miliona euro.
Periskopi ka kryer hulumtime te detajuara rreth shkeljeve potenciale te kompanisë Kelkos dhe është ne pritje te përgjigjeve nga kompania ame ne Austri e cila për disa jave ka refuzuar përgjigjët ne dhjetëra pyetje konkrete.











